Reperi Marini dhe bashkëshorja e tij, Alba Malaj, janë bërë sërish prindër.
Lajmin e ëmbël e ka ndarë vetë Alba me ndjekësit në TikTok, ku ka publikuar një video nga muajt e shtatzënisë dhe momentet e para pas lindjes. Në pamjet e publikuara, ajo shfaqet edhe duke mbajtur në krahë foshnjën e porsalindur, nga shtrati i spitalit.
Duket se çifti kishte zgjedhur ta përjetonte këtë shtatzëni larg vëmendjes së publikut, duke e mbajtur lajmin për vete gjatë nëntë muajve të fundit.
Postimi është pritur me shumë urime nga ndjekësit, të cilët kanë vërshuar në komente për t’i uruar në këtë kapitull të ri.
Lajmi merr një domethënie edhe më të veçantë për ta, duke pasur parasysh historinë e vështirë që Marini dhe Alba kanë kaluar më herët.
Në vitin 2025, çifti ndau publikisht lajmin tragjik se kishte humbur djalin e tyre të porsalindur. Në atë kohë, ata ishin në pritje të fëmijës së katërt, pas tre vajzave të tyre, Milana, Melody dhe Marina.
“Ky duhej të ishte një njoftim për ardhjen në jetë të bebit tonë, por fatkeqësisht nuk është. Mëngjesin e së mërkurës humbëm engjëllin tonë të çmuar, djalin tonë”, shkruante Marini në një mesazh prekës pas humbjes.
Ai e përshkroi atë periudhë si një nga dhimbjet më të mëdha që kishte përjetuar familja, duke shkruar se kishin pasur nderin ta mbanin në krahë djalin e tyre, edhe pse për një kohë shumë të shkurtër.
Tashmë, Marini dhe Alba kanë zgjedhur ta ndajnë me publikun një tjetër moment të rëndësishëm të jetës së tyre. Pa dhënë shumë detaje, videoja e Albës tregon vetëm disa nga çastet më intime të këtij rrugëtimi, duke e bërë të qartë se familja po përjeton një fillim të ri.
Megjithatë, dyshja kanë njoftuar se bebi është quajtur Madison./mxh
