Snoop Dogg po punon për filmin biografik që do të rrëfejë jetën dhe karrierën e tij. Për reperin, ky projekt ka edhe një dimension tejet emocional, pasi i jep mundësinë të “rikthejë në jetë” përmes ekranit nënën dhe vëllain e tij, të cilët nuk jetojnë më.
Reperi foli për revistën People, në lidhje me procesin emocional të realizimit të filmit, xhirimet e të cilit kanë nisur tashmë.
“Pikërisht tani po xhiroj filmin tim biografik. Kam mundësinë ta rikthej nënën time në jetë. Kam mundësinë ta rikthej vëllain tim në jetë. Kjo është ajo që marr nga gjithë ky proces: këtë ngritje emocionale që vjen duke i sjellë sërish në jetë.”
Universal Pictures e njoftoi filmin biografik të Snoop Dogg në vitin 2022. Projekti, i titulluar “Snoop”, ka në ekip skenaristin e “Black Panther”, Joe Robert Cole, ndërsa regjia i është besuar Craig Brewer, i njohur për “Song Sung Blue”.
Në qershor të vitit 2025 u bë e ditur se rolin e Snoop Dogg do ta interpretojë aktori i “Outer Banks”, Jonathan Daviss.
“Pjesa ime e preferuar e gjithë këtij procesi ka qenë mënyra se sa aktivisht ka marrë pjesë vetë Snoop Dogg. Mes audicioneve të mia, ai më lejonte të kaloja kohë me të. Zakonisht, kur realizon një film biografik për jetën e dikujt tjetër, personi në fjalë nuk është aty. Ndaj unë kam një mundësi të veçantë, të interpretoj dikë që është ende gjallë”, kishte deklaruar Daviss për The Hollywood Reporter.
Aktorja Lauren London do të interpretojë nënën e Snoop Dogg, Beverly Tate, e cila ndërroi jetë në tetor 2021, në moshën 70-vjeçare. Ndërkohë, ende nuk është bërë e ditur se kush do të interpretojë vëllain e tij, Bing Worthington, i cili ndërroi jetë në vitin 2024, në moshën 44-vjeçare./mxh
