Last Updated on 23/09/2026 by Anisa
Rreth 100 efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në operacionet për shuarjen e dy vatrave të zjarrit në Fier dhe Durrës.
Në Gjirin e Lalëzit, pranë Shën Pjetrit, ku terreni i vështirë kodrinor ka penguar ndërhyrjen në tokë, operacionit i është bashkuar edhe një helikopter, ndërsa në Pojan, pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë, situata është nën kontroll dhe nuk raportohet për dëmtime të monumenteve.
Mesazhi i plotë:
Rreth 100 efektivë të Forcave të Armatosura 🇦🇱 janë angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve në dy vatra të evidentuara mbrëmjen e djeshme, në Pojan – Parku Arkeologjik i Apolonisë, Fier dhe në Gjirin e Lalëzit, Durrës.
Në Gjirin e Lalëzit pranë zonës së Shën Pjetrit, krahas 68 efektivëve të FA-së, janë angazhuar edhe 15 automjete zjarrfikëse nga bashkitë Durrës, Shijak, Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë dhe Elbasan. Pas angazhimit të efektivëve gjatë gjithë natës në këtë zonë, për ndërhyrjen në terrenin e vështirë kodrinor është angazhuar edhe një helikopter, që po vijon punën nga ajri.
Ekipet po punojnë intensivisht për izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e banorëve, banesave dhe pronave të zonës.
Në Pojan – Parku Arkeologjik i Apolonisë, efektivët e Forcave të Armatosura vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës, e cila tashmë është nën kontroll. Dje, për shuarjen e flakëve u angazhua edhe helikopteri i Forcës Ajrore. Fatmirësisht nga flakët nuk është dëmtuar asnjë monument./ad
