Kërcënimet ndaj Britanisë së Madhe në hapësirë po rriten, paralajmëroi kreu i Forcave Ajrore Mbretërore britanike (RAF), ndërsa njoftoi krijimin e një njësie të re ushtarake të ngarkuar me mbrojtjen e satelitëve.
Duke folur sot në Konferencën e Fuqisë Hapësinore të Britanisë së Madhe në Londër, marshalli i aviacionit Harv Smyth deklaroi se hapësira “është bërë një fushë e zhvillimit të luftës, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo”.
Ai iu referua veprimeve të fundit të Rusisë, përfshirë manovrat “e rrezikshme” të satelitëve ushtarakë rusë pranë satelitëve komercialë finlandezë, si dhe përpjekjeve për të penguar sinjalet GPS.
Smyth i cilësoi këto zhvillime si dëshmi të “veprimeve gjithnjë e më të papërgjegjshme dhe provokuese nga kundërshtarët tanë” në hapësirë.
“Të mos ketë asnjë keqkuptim, shërbimet satelitore që mund t’i keni marrë si të mirëqena tani përballen me kërcënime të paprecedenta”, tha ai. Sipas tij, një ndërprerje e madhe e shërbimeve të satelitëve GPS mund t’i kushtojë ekonomisë britanike 1,4 miliardë paund (1,86 miliardë dollarë) në ditë.
Në përgjigje të kërcënimeve në rritje, Smyth njoftoi krijimin e Skuadronit Nr. 3 të Efekteve Hapësinore, i cili do të ketë për detyrë “të pengojë, dobësojë dhe neutralizojë aktivitetet armiqësore për të mbrojtur interesat hapësinore të Britanisë së Madhe”.
Kjo njësi është e para në një seri njësish të reja hapësinore dhe do të përbëhet nga personel i specializuar për të mbështetur veprime mbrojtëse dhe sulmuese.
Duke theksuar se Britania e Madhe “nuk do ta përshkallëzojë kurrë aktivitetin ushtarak në hapësirë”, Smyth tha se “askush nuk dëshiron një luftë në hapësirë. Ne po pozicionohemi për ta parandaluar atë”.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, skuadroni i ri do të mbrojë satelitët që përdoren për orientimin e anijeve, komunikimet dhe paralajmërimin për sulme me raketa.
Sistemet e paralajmërimit për raketat balistike janë bërë më të rëndësishme vitet e fundit./mxh
