Last Updated on 24/09/2026 by Anisa
Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara ka urdhëruar administratën e Presidentit Donald Trump të rivendosë aksesin në Shtëpinë e Bardhë për gazetarët e CNN, MS NOW dhe Politico, duke vlerësuar se vendimi për përjashtimin e tyre ka të ngjarë të shkelë mbrojtjet kushtetuese për lirinë e shtypit.
Vendimi u dha nga gjykatësi federal Tim Kelly, pas apelimit të tre organizatave mediatike ndaj masës së vendosur nga administrata Trump më 18 shtator.
Bëhet fjalë për një nga përplasjet më të forta mes administratës amerikane dhe medias, ndërsa Shtëpia e Bardhë kishte argumentuar se tre mediat nuk duhej të kishin akses për shkak të mënyrës se si kishin raportuar mbi veprimet e administratës.
Trump kishte deklaruar në rrjetet sociale se CNN, MS NOW dhe Politico “nuk duhet të lejohen të shkruajnë apo transmetojnë trillime dhe gënjeshtra gjatë gjithë kohës”, duke i kritikuar për mbulimin mediatik të politikave dhe veprimeve të administratës së tij.
Departamenti amerikan i Drejtësisë mbrojti vendimin e Shtëpisë së Bardhë, duke argumentuar se kufizimi i aksesit lidhej me çështje të sigurisë kombëtare.
Gjykatësi Kelly, megjithatë, arriti në përfundimin se ndalimi ka të ngjarë të mos jetë në përputhje me mbrojtjet kushtetuese për lirinë e shtypit. Për këtë arsye, ai urdhëroi administratën të rivendosë aksesin e gazetarëve të CNN, MS NOW dhe Politico në Shtëpinë e Bardhë./ad
