Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka ashpërsuar qëndrimin e saj ndaj operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza, duke deklaruar se reagimi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor ka tejkaluar kufijtë e proporcionalitetit dhe ka kaluar “vijën e kuqe”.
Duke iu referuar sulmit të Hamasit dhe nevojës për t’u përballur me terrorizmin, Meloni tha se operacioni ushtarak izraelit ka kaluar këtë vijë, duke shkelur, sipas saj, rregullat e së drejtës humanitare dhe duke shkaktuar një “masakër civilësh”.
Kryeministrja italiane deklaroi gjithashtu se Italia do të mbështesë sanksionet e mundshme evropiane ndaj Izraelit, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në tonin e qeverisë së Romës.
Në të njëjtën kohë, Meloni theksoi se Izraeli nuk mund të pengojë krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
Italia kishte mbështetur të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje pas sulmit të 7 tetorit, ndërsa qëndrimi i qeverisë italiane është bërë më kritik në kushtet e përkeqësimit të situatës humanitare në Gaza. Roma ka mbështetur më herët edhe sanksione evropiane ndaj kolonëve izraelitë të dhunshëm në Bregun Perëndimor dhe ndaj ministrit izraelit Itamar Ben-Gvir.
Deklaratat e Melonit vijnë në një kohë kur disa vende evropiane kanë ndërmarrë masa ndaj politikave izraelite. Në shtator, 11 vende evropiane dhe Kanadaja vendosën masa ndëshkuese ndaj produkteve nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka vijuar të shqyrtojë marrëdhëniet me Izraelin, përfshirë respektimin e detyrimeve për të drejtat e njeriut në kuadër të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael./ad
