Last Updated on 25/09/2026 by EL
Katër persona janë arrestuar në Republikën Dominikane në lidhje me sulmin e rëndë në banesën e këngëtarit të merengës, Gilberto Julián Sarante, i njohur si Julián Oro Duro, ku bashkëshortja e tij 60-vjeçare, Zeneida Socorro Castillo, u vra, ndërsa artisti mbeti i plagosur rëndë.
Policia Kombëtare Dominikane ka identifikuar të dyshuarit si Phillips Michael Tejeda Vásquez, Juan Carlos Hernández García, i njohur si “Peña”, Kevin Dariel Germán Troncoso, i njohur si “Yandel”, 23 vjeç, dhe Lawrence Mark Liranzo Marcos, i njohur si “Chiquito”, 18 vjeç. Ky i fundit u arrestua pas një operacioni kërkimi të policisë. Sipas hetuesve, të katër kishin lidhje pune ose besimi me rrethin e afërt të këngëtarit.
Hetimet sugjerojnë se Tejeda Vásquez, i cili punonte si teknik kondicionerësh dhe kryente punime private në prona të Julián Oro Duro, mund të ketë kontaktuar me të dyshuarit e tjerë. Ndërkohë, Liranzo Marcos njihte familjen dhe kishte punuar në një vilë që këngëtari po ndërtonte në zonën e Guerra.
Ngjarja ndodhi më 21 shtator, kur këngëtari u kthye në banesën e tij në Brisa Oriental VI, në Santo Domingo Este. Sipas hetuesve, bashkëshortja e tij ishte mbajtur në banesë për disa orë dhe ishte torturuar para se të vritej. Më pas, kur artisti u kthye në shtëpi, ai u përball me autorët e sulmit.
Julián Oro Duro pësoi dëmtime të rënda traumatike në kokë dhe vijon të jetë në fazën e rikuperimit. Policia dhe Prokuroria Publike po vijojnë mbledhjen e provave për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e krimit, ndërsa ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Republikën Dominikane./et
