Të jesh fëmija i një prej yjeve më të mëdha të muzikës pop nuk është gjithmonë aq magjepsëse sa duket nga jashtë. Jayden James Federline, djali 20-vjeçar i Britney Spears dhe Kevin Federline, ka folur rrallë për jetën e tij nën vëmendjen e publikut dhe këtë herë ka treguar hapur presionin që ka ndjerë ndër vite.
Në një intervistë të rrallë për revistën “Interview”, Jayden ka pranuar se shpesh ndjen sikur duhet të dëshmojë veten për shkak të prindërve të tij të famshëm.
“Ndjej sikur gjithmonë kam diçka për të provuar, edhe pse nuk kam nevojë të provoj asgjë”, është shprehur ai.
Jayden ka folur edhe për mënyrën se si fama e familjes së tij ndikon në perceptimin që të tjerët kanë për të. Sipas tij, përpjekja për të fituar vazhdimisht miratimin e të tjerëve mund të bëjë që një person të humbasë veten.
“Sa më shumë përpiqesh t’i kënaqësh të tjerët, aq më shumë humbet veten”, ka thënë ai.
Djali i Britney Spears dhe Kevin Federline, i cili ka edhe një vëlla më të madh, 21-vjeçarin Sean Preston, ka treguar se është mësuar me kureshtjen e publikut, por nuk i pëlqen kur njerëzit krijojnë histori për të pa e njohur.
“Pyetjet që kanë supozime. Do të preferoja që njerëzit të më njihnin, në vend që të supozonin se tashmë më njohin”, është shprehur Jayden.
Jayden ka qenë gjithashtu i ekspozuar ndaj teorive të shumta që qarkullojnë online për nënën e tij. Së fundmi, ai reagoi edhe ndaj një prej teorive më të çuditshme, sipas së cilës Britney Spears nuk është më gjallë dhe është zëvendësuar nga një “klon”.
Gjatë një livestream-i në TikTok, ai e cilësoi teorinë si “qesharake”, duke treguar se habitet nga mënyra se si njerëzit besojnë lehtësisht informacionet që shohin në rrjetet sociale.
“Hyj në TikTok dhe shoh një video me 1.2 milionë pëlqime, ku shkruhet: ‘Teoria më e madhe ndonjëherë: A është Britney Spears ende gjallë?’ Mund të shkosh te faqja e saj dhe ta shohësh tani”, ka treguar ai.
Jayden ka kritikuar edhe mënyrën se si përhapen teoritë konspirative në internet, duke theksuar se shumë njerëz i besojnë ato vetëm sepse kanë marrë një numër të madh pëlqimesh.
Ai ka pranuar se e kupton pse njerëzit janë kaq të interesuar për Britney-n, duke qenë se ajo ka një bazë të madhe fansash në të gjithë botën.
“E kuptoj. Të gjithë janë fansa të mëdhenj të mamit tim dhe të gjitha këto gjëra, por mos e mendoni më shumë seç duhet. Nuk është aq e komplikuar sa duket. Është fjalë për fjalë aty, përpara jush”, ka thënë 20-vjeçari.
Ndërsa tashmë po përgatitet për një kapitull të ri të jetës së tij, Jayden duket se dëshiron të ndërtojë identitetin e vet, larg hijes së famës së jashtëzakonshme të nënës së tij./mxh
