Delegacioni i Iranit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së hodhi poshtë raportet se ishte dëbuar nga SHBA-ja, duke thënë se largimi i tij ishte pjesë e një itinerari të planifikuar paraprakisht dhe të komunikuar me autoritetet amerikane disa javë më herët.
Ndërkohë, një zyrtar amerikan tha të mërkurën se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, urdhëroi diplomatët iranianë të largoheshin pasi negociatat kishin ngecur.
Misioni i SHBA-së në OKB e njoftoi misionin iranian të hënën në mbrëmje, me urdhër të Rubios, se delegacioni i ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, duhej të largohej nga Nju Jorku “menjëherë”, sipas Axios, që raportoi i pari për ngjarjen.
Duke cituar një zyrtar amerikan, Axios raportoi se delegacioni iranian “e kishte tejkaluar mirëseardhjen” dhe se “Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte përfunduar, ndaj ishte koha që ata të largoheshin”.
“Delegacioni iranian u largua nga Nju Jorku të hënën në mbrëmje, në përputhje me orarin që i ishte komunikuar paraprakisht edhe Departamentit Amerikan të Shtetit më 17 shtator”, tha Misioni i Iranit në OKB në një deklaratë.
“Pasi nuk arriti asgjë, Departamenti i Shtetit iu rikthye përhapjes së lajmeve të pabaza dhe pa vlerë”, shtoi misioni, duke hedhur poshtë pretendimet amerikane për largimin e delegacionit.
Sipas zyrtarit amerikan, të cituar nga Axios, delegacioni u nis me avion nga Nju Jorku drejt Dohas në orën 01:20 sipas kohës lokale të martën.
Sipas raportit, Shtëpia e Bardhë priste që të hënën në mëngjes të kishte përparim të mundshëm në bisedimet me Iranin, por deri në orët e vona të pasdites u bë e qartë se negociatat kishin arritur në një ngërç.
Ndërkohë, ndërmjetësit nga Katari po vijojnë bisedimet me të dyja palët për një propozim kompromisi, raportoi Axios, duke cituar burime rajonale.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit më 28 shkurt. Teherani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë në të gjithë rajonin dhe, në praktikë, mbylli Ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike për furnizimet energjetike.
Përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit kanë vijuar që nga qershori, kur SHBA-ja dhe Irani nënshkruan një memorandum që përcaktonte hapat e menjëhershëm për rikthimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe trajtimin e programit bërthamor të Iranit./ad
