Last Updated on 01/10/2026 by EL
Mbi 600 persona janë arrestuar dhe një duzinë oficerësh të policisë dhe xhandarmërisë kanë mbetur të plagosur në Francë, ku protestat e studentëve të shkollave të mesme janë përshkallëzuar.
Lëvizja e studentëve, të cilët protestojnë për tre vitet e fundit të arsimit dytësor, kanë acaruar qeverinë.
Që prej javës së kaluar, të rinjtë kanë mbajtur manifestime jashtë shkollave për shkak të pakënaqësive për oraret, përmasat e klasave, mungesën e mësuesve dhe vapën gjatë muajve të valës së të nxehtit veror.
Manifestimet nisën në rajonin Ile de France, përreth Parisit, por tani janë përhapur edhe në qytete të tjera të vendit.
Të mërkurën, 625 persona u arrestuan gjatë bllokadave të studentëve, nisma e të cilëve, sipas ministrit të Brendshëm, është zgjeruar.
Laurent Nunez dënoi atë që e quajti “përshkallëzim të dhunës” jashtë 356 institucioneve shkollore, si dhe plagosjen e 83 oficerëve nga radhët e policisë dhe xhandarmërisë.
Ministri foli për sulme të qëllimshme ndaj forcave të rendit, me manifestuesit që hodhën shashka ndaj tyre, ushtruan dhunë dhe e kaluan protestën në dhunë urbane.
Që nga fillimi i trazirave javën e kaluar, 119 studentë dhe anëtarë stafi arsimor kanë mbetur të lënduar, tha ndërkohë ministri i Arsimit, Edouard Geffray.
Qytetet më të prekura nga trazirat rezultojnë Parisi, Bordoja, Lioni dhe Lile, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë të rinjtë e grumbulluar./et
