Julianne Moore do të marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm në karrierën e saj, këtë herë në Festivalin e Filmit në Romë, ku do t’i akordohet çmimi për arritje jetësore.
Aktorja amerikane do të nderohet me “Lifetime Achievement Award” gjatë edicionit të 21-të të festivalit, i cili do të zhvillohet nga 13 deri më 25 tetor.
Ceremonia e ndarjes së çmimit do të zhvillohet në kuadër të shfaqjes së filmit të saj të ri, “The Debut”, i cili është pjesë e seksionit “Grand Public” të festivalit.
Çmimin për Moore do ta dorëzojë aktori dhe regjisori Jesse Eisenberg, i cili ka shkruar skenarin dhe ka drejtuar komedinë muzikore të prodhuar nga A24. Eisenberg është gjithashtu producent dhe bashkëprotagonist në film.
Ky vlerësim i ri i shtohet një liste të gjatë çmimesh që Julianne Moore ka fituar gjatë karrierës së saj. Ajo ka marrë “Oscar”, “Golden Globe” dhe BAFTA për interpretimin e saj si një grua që përballet me demencën në filmin Still Alice të vitit 2015.
Në vitin 2012, Moore fitoi gjithashtu një “Emmy” për portretizimin e Sarah Palin në miniserialin Game Change, me regji të Jay Roach.
Aktorja është gjithashtu e vetmja amerikane që ka fituar çmime të rëndësishme interpretimi në të tre festivalet kryesore evropiane të filmit. Në vitin 2002 u vlerësua në Festivalin e Filmit në Venecia për Far From Heaven, në vitin 2003 në Festivalin e Berlinit për The Hours, ndërsa në vitin 2014 fitoi çmimin për aktoren më të mirë në Festivalin e Kanës për Maps to the Stars.
Karriera e saj e gjatë kinematografike përfshin role të spikatura në filma si Short Cuts i Robert Altman, Boogie Nights dhe Magnolia të Paul Thomas Anderson, Far From Heaven dhe May December të Todd Haynes, si dhe The Room Next Door të Pedro Almodóvar, në vitin 2024.
Roli i ri në “The Debut”
Në filmin e ri The Debut, i cili pati premierën në festivalin Telluride dhe është përmendur si një prej filmave me potencial për sezonin e këtij viti të çmimeve, Moore interpreton një amvisë të turpshme nga New Jersey.
Personazhi i saj merr një rol të vogël në një produksion teatror lokal, i cili drejtohet nga një regjisor autoritar, të interpretuar nga Paul Giamatti.
Me çmimin në Festivalin e Filmit në Romë, Julianne Moore shton një tjetër vlerësim të rëndësishëm në një karrierë që përfshin disa prej festivaleve dhe çmimeve më prestigjioze të kinematografisë ndërkombëtare./mxh
