Një përpjekje e kaskaderit të njohur rus, Evgeny Chebotarev, ka përfunduar në një aksident i cili është kapur nga kamera dhe është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Chebotarev kishte ndërmarrë nismën për të transportuar një helikopter ushtarak të tipit Mi-2 mbi karrocerinë e një kamionçine. Megjithatë, situata doli shpejt jashtë kontrollit për shkak të peshës dhe pabarazisë së ngarkesës.
Në pamjet e bëra virale, shihet qartë momenti kur kamionçina humb ekuilibrin gjatë lëvizjes. Për shkak të peshës së madhe të helikopterit në pjesën e sipërme, automjeti përmbyset papritur, duke u rrëzuar në anë të rrugës dhe duke përfshirë edhe helikopterin në incidentin e rëndë.
Kaskaderi ka shpëtuar pa lëndime fatale, duke i shtuar këtë incident listës së tij të gjatë të akteve të rrezikshme të realizuara në të kaluarën.
