Last Updated on 05/10/2026 by EL
Nëse reforma e re administrativo-territoriale merr 84 votat e nevojshme në seancën plenare të së enjtes, Shqipëria do të kalojë nga 61 në 46 bashki. Drafti i miratuar në Komisionin e Ligjeve parashikon shkrirjen e 15 bashkive aktuale dhe bashkimin e tyre me bashki më të mëdha, ndërsa qarqet nuk ndryshojnë.
Në hartën e re parashikohet gjithashtu një riorganizim i qendrave urbane, me 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative. Gjatë shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve janë shtuar edhe gjashtë zona që marrin statusin e qytetit.
15 bashkitë që humbasin statusin aktual
Sipas draftit, bashkitë që shkrihen dhe bashkohen me njësi të tjera janë:
- Fushë-Arrëzi → me Bashkinë Pukë
- Klosi → me Bashkinë Mat
- Rrogozhina → me Bashkinë Kavajë
- Dimali → me Bashkinë Berat
- Poliçani → me Bashkinë Berat
- Patosi → me Bashkinë Fier
- Divjaka → me Bashkinë Lushnjë
- Selenica → me Bashkinë Vlorë
- Maliqi → me Bashkinë Korçë
- Këlcyra → me Bashkinë Përmet
- Memaliaj → me Bashkinë Tepelenë
- Libohova → me Bashkinë Gjirokastër
- Cërriku → me Bashkinë Elbasan
- Belshi → me Bashkinë Elbasan
- Përrenjasi → me Bashkinë Librazhd.
Gjashtë zonat që marrin statusin e qytetit
Ndryshimi tjetër i parashikuar në hartën e re lidhet me klasifikimin e disa qendrave urbane. Nëse reforma miratohet, statusin e qytetit pritet ta marrin:
- Kastrati, në Bashkinë Malësi e Madhe
- Bushati, në Bashkinë Vau i Dejës
- Ulza, në Bashkinë Mat
- Krasta, në Bashkinë Bulqizë
- Miloti, në Bashkinë Kurbin
- Golemi, në Bashkinë Kavajë.
Kështu, në Bashkinë Kurbin do të përfshihen qytetet Laç, Mamurras dhe Milot, ndërsa në Bashkinë Kavajë, pas bashkimit me Rrogozhinën, do të jenë Kavaja, Rrogozhina dhe Golemi.
Në nivelin e qeverisjes vendore, bashkia mbetet njësia kryesore e vetëqeverisjes. Reforma synon një strukturë me 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative, ndërsa qarqet nuk preken nga ndryshimet e propozuara.
Projektligji tashmë është miratuar në Komisionin e Ligjeve dhe pritet të kalojë për votim në seancën plenare të 8 tetorit. Për miratimin e tij kërkohen 84 vota./et
