Më 5 nëntor 2009, majori i Ushtrisë Amerikane Nidal Malik Hasan hyri në një dhomë të bazës Fort Hood, Texas, ku disa ushtarë po përgatiteshin për një mision. Ai bërtiti Allahu Akbar dhe hapi zjarr me një pistoletë. Vrau 13 ushtarë dhe plagosi 32 të tjerë, përpara se të qëllohej nga një polic. Hasan mbeti pjesërisht i paralizuar dhe që atëherë i ka kaluar ditët e tij në qendrën e paraburgimit të Ushtrisë Amerikane në Fort Leavenworth, Kansas.
Tani për të mund të ketë filluar numërimin mbrapsht: presidenti Trump të hënën autorizoi ekzekutimin kapital. Nuk ka ende një datë të caktuar dhe një gjykatë civile mund të ndërhyjë për ta shtyrë. Hasan do të përballet me një skuadër pushkatimi dhe do të jetë ushtari i parë i ekzekutuar që nga viti 1961, kur John Bennett u var për përdhunimin dhe tentativën për vrasjen e një vajze 11-vjeçare. Skuadra e pushkatimit kishte vepruar për herë të fundit në vitin 1945, kur viktima ishte Eddie Slovik, dezertor gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ngjarja e Hasan-it bëri shumë bujë jo vetëm për shkak të masakrës, më e rënda në një strukturë ushtarake në SHBA, por edhe për historinë personale të autorit. Hasan kishte lindur dhe ishte rritur në Virxhinia nga prindër emigrantë nga një fshat palestinez në Bregun Perëndimor, jo larg Jerusalemit. Pas diplomimit në shkollën e mesme, ai u rekrutua në ushtri. Falë bursave të Ushtrisë Amerikane u bë psikiatër dhe punoi gjatë në Walter Reed Army Medical Center në Bethesda, Maryland, ku kryejnë vizitat edhe presidentët amerikanë.
Ata që e njihnin e përshkruanin si shumë të qetë dhe fetar, por ai ishte bërë gjithnjë e më i shqetësuar për një dislokim të mundshëm në Afganistan dhe Irak. Ishin vitet e para të dekadës së 2000, kur SHBA ishte e angazhuar në luftën kundër terrorizmit xhihadist në dy fronte. Gjatë gjyqit të vitit 2013, një kushëri i Hasan-it kishte treguar se dislokimi në zonën e luftës ishte për të “makthi më i madh”. Raportet e eprorëve të tij dokumentonin vështirësitë që Hasan kishte para sulmit dhe një hetim i Associated Press kishte zbuluar se gjatë kohës në Walter Reed, vlerësimet e eprorëve i jepnin atij pikë të ulëta.
Gjatë procesit gjyqësor, Hasan ishte pasiv, duke mos kundërshtuar akuzat dhe madje duke pranuar se “kishte ndërruar skuadër” dhe se ishte ai që kishte qëlluar. Ai kishte deklaruar se veprimet e tij kishin për qëllim të pengonin dislokimin e amerikanëve në vendet myslimane.
Gjithashtu dolën në pah kontaktet e tij me predikuesin Anwar al-Awlaki, një nga udhëheqësit e Al Qaeda-s në Gadishullin Arabik. Ai u vra në një sulm me dron të urdhëruar nga Barack Obama më 30 shtator 2011. Awlaki ishte ndër të parët që përdori mediat moderne, rrjetet sociale dhe fuqinë e internetit, për të përhapur mesazhin xhihadist përtej shpellave të Afganistanit dhe zonave të largëta të Jemenit, duke radikalizuar individë.
Ai kishte pasur rol në atentatin e dështuar të Krishtlindjes kundër një avioni në Detroit në vitin 2009. Për më tepër, dyshohet se kishte ndikuar edhe në sulmin e Fort Hood të kryer nga Hasan, si dhe në tentativën e dështuar të vitit pasues për shpërthimin e një bombe në Times Square./mxh
