Bashkimi Evropian po përgatit rregulla të reja për vendet që synojnë anëtarësimin, me qëllim që të shmangë përsëritjen e rasteve kur një shtet anëtar shkel parimet demokratike dhe bllokon vendimmarrjen e Unionit.
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha se BE-ja duhet të ketë mekanizma më të shpejtë për të reaguar ndaj vendeve që, pasi të anëtarësohen, mund të shkelin shtetin e së drejtës, demokracinë apo vlerat e përbashkëta evropiane.
“Jo më Viktor Orbán”, tha Kos në një intervistë për The Guardian dhe gazeta të tjera evropiane, duke iu referuar ish-kryeministrit hungarez dhe përplasjeve të vazhdueshme mes Hungarisë dhe institucioneve të BE-së.
Sipas propozimit të ri, vendet që do t’i bashkohen BE-së mund të kenë një periudhë prove prej 15 vitesh. Gjatë kësaj periudhe, nëse një vend shkel rregullat demokratike ose nuk respekton detyrimet ndaj BE-së, mund të përballet me pezullimin e të drejtës së votës ose me humbjen e disa fondeve evropiane.
Propozimi duhet të miratohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
Aktualisht, neni 7 i Traktatit të BE-së parashikon mundësinë e pezullimit të të drejtës së votës për një shtet që kryen shkelje “serioze dhe të vazhdueshme” të vlerave demokratike. Megjithatë, kjo masë nuk është zbatuar asnjëherë deri në fund. Në rastin e Hungarisë dhe Polonisë, procesi u zvarrit për vite dhe dy vendet kanë përdorur edhe të drejtën e vetos për të mbrojtur njëra-tjetrën.
Komisioni Evropian argumenton se rregullat e reja do t’i japin BE-së më shumë mundësi për të reaguar nëse një vend i ri anëtar largohet nga standardet demokratike. Megjithatë, masat e propozuara do të jenë të përkohshme. Sipas Marta Kos, kjo është e nevojshme për të shmangur krijimin e një BE-je me vende anëtare të “klasit të parë” dhe “klasit të dytë”.
Propozimet vijnë në një moment kur procesi i zgjerimit të BE-së ka marrë një shtysë të re. Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina konsiderohen ndër vendet që kanë bërë më shumë përparim në rrugën drejt anëtarësimit.
Lufta në Ukrainë ka rikthyer në qendër të vëmendjes zgjerimin e BE-së. Ukraina dhe Moldavia aplikuan për anëtarësim vetëm pak ditë pas nisjes së pushtimit rus në shkurt 2022, ndërsa zhvillimet i dhanë një shtysë të re edhe procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Për anëtarësimin e një vendi të ri duhet të bien dakord të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së. Megjithatë, në disa vende evropiane, veçanërisht në Francë dhe Çeki, ka skepticizëm për një zgjerim të mëtejshëm të Unionit.
Marta Kos tha se pavarësisht kësaj, zgjerimi mbetet i mundur dhe i rëndësishëm për BE-në. Sipas saj, Rusia dhe Kina po përpiqen të rrisin ndikimin e tyre në Evropën Lindore dhe në Ballkan.
“Nëse nuk jemi në gjendje të integrojmë fqinjësinë tonë, dikush tjetër do të vijë dhe do t’i përdorë ata kundër nesh”, tha Kos, duke e cilësuar zgjerimin si një interes strategjik për BE-në.
Ndërkohë, Brukseli pritet të avancojë edhe negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë. BE-ja shpreson të hapë së shpejti negociatat për fusha që lidhen me tregun e brendshëm, konkurrueshmërinë, politikën ekonomike, taksat, kërkimin shkencor dhe median.
Sa i përket Ukrainës, Kos tha se është ende shumë herët për të thënë nëse një vend në luftë ose me një konflikt të ngrirë në territorin e tij mund të bëhet anëtar i BE-së.
Një tjetër çështje që pritet të diskutohet është mënyra se si do të funksionojë një BE më e madhe. Nëse numri i vendeve anëtare shkon në 35, vendimmarrja mund të bëhet më e vështirë. Për këtë arsye, shteteve mund t’u kërkohet të heqin dorë nga e drejta e vetos në disa çështje, si taksat dhe sanksionet.
Gjithashtu, në të ardhmen mund të ndryshojë edhe mënyra e përfaqësimit në Komisionin Evropian, pasi jo çdo shtet mund të ketë domosdoshmërisht komisionerin./mxh
