Prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ngritur akuza të reja ndaj ish-presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores. Çifti akuzohen për komplot për kryerjen e torturave ndaj të burgosurve, përfshirë shtetas amerikanë.
Akuzat e reja u bënë publike të enjten dhe i shtohen çështjes penale që tashmë përfshin akuza për trafik droge dhe armësh, të cilat Maduro dhe Flores i kanë mohuar.
Çifti akuzohet se ka konsoliduar pushtetin duke drejtuar një sistem represiv që, sipas prokurorëve amerikanë, mbështetej te dhuna ndaj kundërshtarëve politikë, arrestimet arbitrare dhe torturat e të burgosurve.
Prokurorët pretendojnë se torturat përfshinin goditje elektrike, mbytje, përdhunim, zhveshje të detyruar, izolim të zgjatur, uri, qeli ndëshkimi dhe torturë psikologjike. Sipas aktakuzës, të burgosurit kërcënoheshin edhe me vrasjen e familjarëve të tyre, përfshirë fëmijët.
Prokuroria amerikane pretendon se Cilia Flores kishte një rol të rëndësishëm në funksionimin e këtij sistemi dhe se urdhëronte torturimin e disa personave, ndërsa merrte edhe informacione për trajtimin e të burgosurve të caktuar.
Sipas dokumentit të gjykatës, veprimet e saj synonin gjithashtu mbrojtjen e anëtarëve të familjes të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Maduro, 63 vjeç, dhe Flores, 69 vjeç, janë mbajtur në një qendër paraburgimi në Brooklyn që prej janarit, pasi u morën nga forcat amerikane gjatë një operacioni në kryeqytetin venezuelian, Caracas. Një gjykatës në SHBA refuzoi të enjten kërkesën e Flores për të kaluar në arrest shtëpie. Të dy pritet të qëndrojnë në paraburgim ndërsa çështja gjyqësore vijon. Gjykimi i Maduro-s dhe Flores është planifikuar të nisë në qershor 2027./mxh
