Këngëtarja e njohur Irini Qirjako ka një dëshirë që shpreson ta realizojë sa më shpejt: të organizojë dasmën e vajzës së saj, Riviolës. E ftuar në emisionin “Rudina”, pasditen e djeshme, artistja foli për këtë dëshirë të veçantë, duke zbuluar edhe se si do të këndonte në një ditë kaq të rëndësishme për të.
E njohur nga publiku si “Bilbili i Labërisë”, Qirjako prezantoi edhe këngën e saj më të re, “Nuse moj të nxorri nëna”, një krijim që i kushtohet nënave, përkushtimit dhe sakrificave të tyre gjatë rritjes së fëmijëve. Këngëtarja tregoi se kënga është kërkuar shpesh prej saj edhe në dasmat ku ka performuar.
Përmes kësaj kënge, artistja sjell ndjesitë e një nëne që kujdeset për fëmijët e saj dhe merakun që e shoqëron në çdo etapë të jetës. Sipas saj, shumë vajza arrijnë t’i kuptojnë sakrificat e nënave të tyre vetëm pasi bëhen vetë prindër.
Por, përtej këngës së re, Qirjako ndau me publikun edhe dëshirën për të festuar martesën e vajzës së saj. Ajo u shpreh e vendosur se do t’ia organizojë dasmën Riviolës, duke treguar se nuk do të mungojnë as këngët e saj, të cilat dëshiron t’i interpretojë pa shoqërimin e orkestrës.
“Do t’ia bëj dasmën e vajzës se s’bën! Sa vajza martohen, që vijnë me fëmijën, me fëmijën në krahë ose edhe me fëmijë të rritur që bëjnë dasma. Kështu që edhe unë do t’ia bëj Riviolës. Këngët do t’ia këndoj a cappella, kështu vetëm, pa orkestër, pa gjë”, u shpreh këngëtarja.
Ndër këngët që ka menduar t’i këndojë vajzës së saj në këtë ditë të veçantë është edhe “Të rriti mamaja”, një tjetër këngë që merr kuptim të veçantë në marrëdhënien mes nënës dhe fëmijës.
Gjatë intervistës, Irini Qirjako foli edhe për një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e saj: hapjen e kanalit zyrtar në YouTube, ku tashmë mund të gjenden këngët e saj. Ajo tregoi se vendimi erdhi pas këmbënguljes së kolegëve, ndërsa realizimi i tij kërkoi shumë punë, pasi materialet muzikore ishin të shpërndara në vende të ndryshme./mxh
