Kate Middleton është prej 15 vitesh pjesë e familjes mbretërore britanike dhe një ditë do të bëhet mbretëreshë, kur princi William të ngjitet në fron. Por, nëse nuk do ta kishte takuar atë gjatë studimeve në Universitetin e St. Andrews në Skoci, jeta e saj mund të kishte marrë një drejtim krejt tjetër.
Gjatë një vizite në shkollën St. Andrew’s, në Pangbourne të Berkshire, ku ajo ka studiuar për nëntë vjet, Kate zbuloi se çfarë dëshironte të bëhej kur të rritej. Ajo u kthye në shkollën e dikurshme për të inauguruar një fushë të re hokeji dhe, gjatë fjalimit të saj, kujtoi vitet që kishte kaluar aty, të cilat i cilësoi si “vitet më të lumtura të jetës sime”.

“Është kënaqësi e veçantë të rikthehem këtu, në St Andrew’s. E kam dashur jashtëzakonisht shumë kohën që kam kaluar këtu. Ishin disa nga vitet më të lumtura të jetës sime, ndaj rikthimi sot është kaq i veçantë. Madje, më pëlqente aq shumë saqë, kur erdhi koha të largohesha, i thashë mamasë se do të kthehesha një ditë për t’u bërë mësuese”, tregoi Kate gjatë vizitës në vitin 2012.
Megjithatë, planet e saj nuk u realizuan. “Nuk ndodhi tamam kështu, por u gëzova shumë që më ftuan të rikthehesha sot, në Ditën e Shën Andreas”, tha ajo.
Richard Hudson, zëvendësdrejtor i shkollës, e kujtoi Kate si një vajzë sportive, shumë punëtore, të sjellshme dhe miqësore, e cila sillej me shumë dashamirësi ndaj fëmijëve më të vegjël.

Edhe pse nuk u bë kurrë mësuese, Kate ka përqendruar një pjesë të rëndësishme të angazhimeve të saj mbretërore te zhvillimi i fëmijërisë së hershme. Kjo i jep mundësinë të punojë rregullisht me fëmijët dhe të mbështesë nisma që lidhen me vitet e para të jetës.
Por mësuesia nuk ishte e vetmja ëndërr e saj. Gjatë një vizite në Cornwall në vitin 2016, kur po tregonte se si u mësonte fëmijëve të saj, princit George dhe princeshës Charlotte, për fermën në Sandringham, Kate la të kuptohej se kishte edhe një dëshirë tjetër: të bëhej fermere.
Përpara se të martohej me William në vitin 2011 dhe të bëhej pjesë e familjes mbretërore me kohë të plotë, Kate kishte provuar disa profesione.
Ajo kishte punuar në një marinë në Southampton, ku ndihmonte në punët me varkat dhe jahtet. Sipas një prej ish-kolegëve të saj, orari mund të arrinte deri në 11 orë në ditë, ndërsa pagesa ishte rreth 75 dollarë në ditë.

“Ishte punë rraskapitëse. Kate përfshihej në punë dhe sillej në mënyrë shumë profesionale. Ishte e zonja dhe e sigurt në vetvete, por pa u përpjekur të binte në sy”, kujtoi Cal Tomlinson, i cili kishte punuar me të.
Gjatë studimeve universitare, Kate ka punuar edhe si kameriere, përvojë për të cilën më vonë bëri shaka duke pranuar se nuk ishte aspak e zonja në atë profesion.
Pas universitetit, ajo punoi si blerëse aksesorësh për markën britanike të modës Jigsaw, përpara se t’i bashkohej kompanisë së prindërve, Party Pieces, ku merrej me menaxhimin e projekteve dhe marketingun.
Kur u largua nga puna në vitin 2010, pas fejesës me William, Kate theksoi se e kishte marrë seriozisht rolin e saj në biznesin familjar.

“Kam punuar shumë për kompaninë e familjes. Mendoj se të gjithë ata me të cilët punoj e shohin që jap kontributin tim, dhe kjo është ajo që ka vërtet rëndësi për mua”, tha ajo në intervistën e fejesës për televizionin ITV.
Në të njëjtën intervistë, Kate foli edhe për rolin e saj të ardhshëm në familjen mbretërore, duke thënë se shpresonte të sillte ndryshim, qoftë edhe në mënyrën më të vogël. Ajo u shpreh e gatshme të mësonte shpejt, të punonte fort dhe të ndihmonte sa më shumë që të mundej.
Sot, vite pas hyrjes në familjen mbretërore, Kate shihet si një figurë me ndikim në vendimmarrjen dhe organizimin e punëve mbretërore. Një burim pranë çiftit ka thënë se ajo dhe William i trajtojnë këto përgjegjësi si një ekip.
Ndërsa për kalimin e saj të ardhshëm në rolin e mbretëreshës, biografja mbretërore Katie Nicholl është shprehur se Kate i ka përballuar me dinjitet dhe guxim momentet e vështira që ka kaluar publikisht dhe se e merr jashtëzakonisht seriozisht detyrën e saj.
Ndoshta Kate nuk u bë mësuese, siç kishte ëndërruar dikur, por puna e saj e sotme i jep mundësinë të ndikojë në jetën e fëmijëve dhe familjeve në një shkallë shumë më të gjerë./k.m
