Last Updated on 17/10/2026 by EL
Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Giovanni Peragine, ka reaguar për protestat e ditëve të fundit në Shqipëri ndërsa thekson se Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës.
Përmes një deklarate, ai u bën thirrje autoriteteve të dëgjojnë qytetarët, të hapin rrugë dialogut dhe të marrin vendime konkrete për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre.
Në reagimin e tij, arqipeshkvi thotë se në kushtet kur besimi te institucionet është tronditur dhe paqja shoqërore është vënë në rrezik, drejtuesit e vendit duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të veprojnë pa vonesë.
Mesazhi i plotë i arqipeshkvit Giovanni Peragine
“Protestat e këtyre ditëve dëshmojnë pa dyshim një pakënaqësi të thellë shoqërore, që nuk mund të shpërfillet. Për katër muaj, një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë protestuar në mënyrë paqësore kundër një sistemi që favorizon disa dhe penalizon shumë të tjerë, por zëri i tyre nuk ka gjetur dëgjimin dhe përgjigjet e duhura. Kjo nuk e justifikon dhunën, e cila duhet dënuar qartë dhe pa asnjë rezervë, por nxjerr në pah përgjegjësinë e autoriteteve për të dëgjuar qytetarët, për të hapur rrugë dialogut dhe për të trajtuar me vendosmëri shkaqet e pakënaqësisë. Vetëm përmes drejtësisë, barazisë dhe dialogut të sinqertë mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, ku askush të mos ndihet i përjashtuar dhe ku e mira e përbashkët të mbizotërojë mbi çdo interes personal. Përgjegjësia e autoriteteve nuk matet me deklarata, por me vendime konkrete. Asnjë interes privat nuk mund të vihet mbi të mirën e vendit dhe asnjë pushtet nuk mund ta zëvendësojë detyrimin për t’u dhënë përgjigje qytetarëve. Kur besimi te institucionet tronditet dhe paqja shoqërore vihet në rrezik, është detyrë e atyre që qeverisin të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të veprojnë pa vonesë, duke marrë me guxim edhe vendime të vështira, nëse këtë e kërkon e mira e vendit tonë. Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës së saj”, deklaroi arqipeshkvi Peragine.
