Last Updated on 19/10/2026 by Monika
Presidenti amerikan, Donald Trump, duket se po e përdor pamjen fizike si pjesë të strategjisë së tij elektorale.
Në vend që të vlerësojë kandidatët republikanë për arritjet dhe angazhimin e tyre politik, presidenti amerikan po i kushton gjithnjë e më shumë rëndësi pamjes së tyre të jashtme. Kjo mënyrë e pazakontë e të bërit fushatë ka shkaktuar edhe siklet mes disa republikanëve në Ohio.
Rasti i fundit ishte ai i senatorit Jon Husted.
Gjatë një takimi elektoral në Ohio, Trump e lavdëroi senatorin, por jo për punën e tij në Senat, por për fizikun. “Nuk kam parë kurrë një burrë si ai. I kam studiuar të pasmet, pastaj shpatullat, këmbët, duart dhe nofullën. Shikojeni mirë, çfarë nofulle!”, deklaroi Trump.
Disa ditë më parë, me Hustedin pranë, presidenti kishte pretenduar se komplimentet e tij i kishin rritur mbështetjen senatorit me 9-10 pikë përqindjeje. Megjithatë, sipas tekstit, Husted vijon të jetë pas rivalit demokrat Sherrod Brown, ish-senator i njohur në Ohio.
Vetë Husted u duk më shumë në siklet sesa i kënaqur nga komentet e presidentit. Gjatë një takimi në Greenville, ai tha: E di që presidenti ka folur për mua si lojtar futbolli dhe për gjëra të tjera…
Më pas nuk bëri komente të tjera. Husted ka qenë një lojtar i mirë futbolli gjatë viteve të kolegjit.
Por rasti i tij nuk është i vetmi. Duket se Trump po ndjek të njëjtën qasje edhe me kandidatë të tjerë republikanë.
Të shtunën, në Kentucky, ai lavdëroi Ed Gallrein, kandidatin që në zgjedhjet paraprake mposhti Thomas Massie, një nga kundërshtarët e tij të njohur brenda Partisë Republikane.
“Më duhej dikush i mirë dhe ky njeri e kaloi provën me sukses. Shikoni sa i pashëm është!”, tha Trump.
Edhe kandidati demokrat për senator në Georgia, Jon Ossoff, është bërë objekt i komenteve të presidentit për pamjen e tij. Ossoff, i vlerësuar për karizmën dhe aftësitë oratorike, është përmendur si një figurë me ambicie të mundshme për Shtëpinë e Bardhë. Për të kundërshtuar këtë imazh, Trump krahasoi pamjen e tij me atë të rivalit republikan Mike Collins.
“Disa thonë se ai është një burrë i pashëm. Unë nuk mendoj kështu. Për mua, i pashëm është Mike Collins, një burrë i vërtetë. Për Ossoffin nuk jam aq i sigurt”, deklaroi presidenti.
Ndërkohë, në Georgia, Trump ka lavdëruar edhe Rick Jackson, kandidatin republikan për guvernator, duke e cilësuar “shumë të pashëm, të jashtëzakonshëm dhe me pamje të mirë”.
Megjithatë, jo të gjithë kandidatët marrin komplimente nga presidenti. Për Ken Paxton, kandidatin nga Texas, Trump ka bërë komente ironike për pamjen dhe mënyrën e veshjes. Gjatë një konvente në Dallas, në shtator, ai deklaroi se disa njerëz mund të mos e pëlqejnë mënyrën si vishet Paxton dhe se ai nuk është burri më i pashëm që ka takuar.
Megjithatë, Trump e vlerësoi si “prokurorin e përgjithshëm më të mirë në Amerikë”. Paxton është përfshirë në një garë të ngushtë me James Talarico.
Por kjo prirje e Trump nuk është shfaqur vetëm gjatë fushatës për zgjedhjet e mesit të mandatit. Edhe në takimet me liderët e huaj, presidenti amerikan u ka kushtuar vëmendje pamjes fizike dhe moshës së bashkëbiseduesve.
Më 14 maj 2025, gjatë takimit të parë dypalësh në Riad me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa, Trump e përshkroi atë si “të ri, shumë të pashëm dhe tërheqës”.
Disa ditë më vonë, gjatë vizitës së tij në Gjirin Persik, ku vizitoi Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Trump lavdëroi princin saudit Mohammed bin Salman dhe emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, duke i cilësuar të dy “të gjatë, të pashëm dhe shumë inteligjentë”.
Ndërsa për presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed, ai rezervoi një tjetër kompliment, duke e quajtur “një njeri të mrekullueshëm”.
Kështu, komentet për pamjen fizike duket se janë kthyer në një element të përsëritur të mënyrës se si Trump lavdëron aleatët politikë dhe liderët e huaj./mxh
