Një rrjet financiar i paligjshëm, i përdorur nga organizatat mafioze për pastrimin e parave dhe riciklimin e fitimeve kriminale, është zbuluar nga Guardia di Finanza në Milano dhe Monza Brianza, në kuadër të një hetimi të koordinuar nga Drejtoria Antimafia e Prokurorisë së Milanos.
Operacioni ka çuar në vendosjen e 30 masave të sigurisë në Itali, Spanjë dhe Zvicër, si dhe në sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 21 milionë euro. Sipas hetuesve, në rrjet dyshohet se janë përfshirë eksponentë të tri organizatave të ndryshme kriminale: ’Ndrangheta, Camorra dhe e ashtuquajtura “Mafia e Katërt”, që lidhet me kriminalitetin e organizuar në zonën e Foggias.
Sipas të dhënave të hetimit, organizata dyshohet se ka lëshuar fatura false me vlerë mbi 110 milionë euro, ndërsa ka kryer operacione ndërkombëtare të pastrimit të parave në vlerën e 68 milionë eurove përmes kriptomonedhave.
Struktura, e cilësuar nga autoritetet italiane si një “bankë e fshehtë” në shërbim të mafias, dyshohet se shërbente për lëvizjen dhe riciklimin e shumave të mëdha të parave, duke përdorur skema financiare ndërkombëtare dhe transaksione me kriptoasete.
Hetimi lidhet me dyshime për pjesëmarrje në organizatë kriminale me rrethana rënduese të lidhura me favorizimin dhe përdorimin e metodave mafioze. Në dosje përfshihen gjithashtu dyshime për mashtrim tatimor, vepra penale në fushën e falimentimit, trafik droge dhe shkelje të legjislacionit për armët.
Nga 30 personat ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie, 16 janë caktuar në paraburgim në burg, ndërsa 14 të tjerë në arrest shtëpie.
Operacioni është shtrirë edhe në Spanjë dhe Zvicër, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve ligjzbatuese.
Në aksion janë angazhuar mbi 350 efektivë të Guardia di Finanza-s, me mbështetjen e njësive të specializuara dhe të njësisë I-CAN të Interpolit, e cila merret me bashkëpunimin ndërkombëtar kundër organizatës mafioze ’Ndrangheta.
Krahas masave të sigurisë, autoritetet italiane po ekzekutojnë sekuestrime me vlerë mbi 21 milionë euro.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë para të gatshme, llogari bankare, kriptomonedha, automjete, mjete lundruese, bizhuteri, ora luksoze dhe makina për numërimin e parave.
Hetimet synojnë të zbardhin plotësisht mekanizmin financiar që dyshohet se u shërbente organizatave mafioze për të lëvizur dhe pastruar fitimet e paligjshme përtej kufijve shtetërorë.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe për të rindërtuar të gjitha lidhjet financiare të rrjetit. Personat e hetuar gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë./ad
