Të rikthehesh me një ish-partner nuk është gjithmonë një ide e keqe, por as nuk mjafton fakti që ndjenjat nuk janë zhdukur plotësisht. Ndonjëherë, një ndarje ndodh në momentin e gabuar, kur rrethanat nuk favorizojnë lidhjen. Herë të tjera, problemet që çuan në fund janë aq të thella, sa rikthimi mund t’ju çojë sërish në të njëjtën pikë.
Përpara se të vendosni t’i jepni një mundësi të dytë një historie të vjetër, ia vlen të pyesni veten nëse diçka ka ndryshuar vërtet. Sipas psikoterapistes dhe terapistes Annie Armstrong Miyao, njerëzit janë të aftë të piqen dhe të ndryshojnë, nëse janë të gatshëm të punojnë me veten. Ajo identifikon pesë shenja pozitive që mund të tregojnë se një ribashkim ka më shumë gjasa të funksionojë.
1. U ndatë për shkak të rrethanave, jo sepse nuk shkonit bashkë
Ndoshta jetonit në vende të ndryshme, nuk mund të gjenit kohë për njëri-tjetrin ose ndodheshit në faza të ndryshme të jetës. Nëse arsyeja që ju ndau nuk ekziston më, mund të ketë vend për një fillim të ri.
Sipas Miyaos, kur rrethanat praktike dhe emocionale që çuan në fundin e lidhjes kanë ndryshuar, rikthimi mund të jetë një mundësi që ia vlen të shqyrtohet. E rëndësishme është të kuptoni nëse pengesat e dikurshme janë zgjidhur vërtet, apo thjesht po shpresoni se këtë herë gjithçka do të shkojë ndryshe.
2. Besimi mund të rindërtohet
Nëse lidhja përfundoi pas një tradhtie, gënjeshtre apo zhgënjimi, rikthimi kërkon më shumë sesa një kërkimfalje. Të dy partnerët duhet të jenë të gatshëm të marrin përgjegjësi për atë që ndodhi dhe të ndërtojnë një marrëdhënie më të sinqertë.
Kjo do të thotë të flisni hapur për të kaluarën, të pranoni lëndimin që është shkaktuar dhe të kuptoni nëse mund të ecni përpara pa e përdorur vazhdimisht atë që ndodhi si armë kundër njëri-tjetrit. Siç thekson Miyao, besimi kërkon edhe gatishmërinë për t’u bërë sërish të cenueshëm, duke pranuar se ekziston gjithmonë mundësia për t’u lënduar.

3. Jeni më të pjekur dhe i përballoni ndryshe konfliktet
Asnjë marrëdhënie nuk është pa vështirësi. Por, nëse problemet e dikurshme përfundonin gjithmonë në debate, heshtje apo largim, duhet të pyesni veten nëse sot do të reagonit ndryshe.
A e menaxhoni më mirë stresin? A dini të komunikoni pa lënduar njëri-tjetrin? A mund të përballeni me një konflikt pa përsëritur të njëjtat sjellje që ju larguan?
Miyao sugjeron që partnerët të diskutojnë paraprakisht se si do të përballen me situata të ngjashme me ato që shkaktuan probleme në të kaluarën. Qëllimi nuk është të shmangni çdo konflikt, por të mësoni ta zgjidhni atë pa dëmtuar marrëdhënien.
4. E pranoni njëri-tjetrin ashtu siç jeni sot
Ndonjëherë, rikthehemi te një ish-partner sepse na mungon mënyra si ndiheshim dikur, jo domosdoshmërisht personi që kemi përballë sot. Prandaj, është e rëndësishme të dalloni nostalgjinë nga dëshira për të ndërtuar një marrëdhënie të shëndetshme.
Sipas Miyaos, njerëzit mund të ndryshojnë dhe të rriten, por pyetja thelbësore është nëse mund ta doni dikë për atë që është tani. A jeni në gjendje t’i pranoni të metat e tij, të kuptoni këndvështrimin e tij dhe të tregoni durim pa pritur që të bëhet një person krejtësisht tjetër?
Një ribashkim ka më shumë gjasa të funksionojë kur të dy partnerët e shohin njëri-tjetrin realisht, pa idealizuar të kaluarën dhe pa u mbështetur vetëm te premtimet për ndryshim.

5. Keni të njëjtat vlera dhe dëshironi të njëjtën të ardhme
Edhe nëse ndjenjat janë ende të forta, një lidhje mund të mos funksionojë nëse partnerët duan gjëra të ndryshme nga jeta. Koha larg njëri-tjetrit mund t’ju ketë ndihmuar të kuptoni më mirë çfarë kërkoni nga e ardhmja dhe cilat janë gjërat për të cilat nuk dëshironi të bëni kompromis.
Përpara se të riktheheni, diskutoni hapur për çështje të rëndësishme si krijimi i një familjeje, dëshira për të pasur fëmijë, feja dhe planifikimi financiar. Nëse më parë kishit pikëpamje të ndryshme, por tani keni arritur të gjeni një gjuhë të përbashkët, ky mund të jetë një tregues pozitiv.
Fundja, një histori e vjetër mund të marrë një drejtim të ri, por vetëm nëse të dy partnerët janë të gatshëm të ndërtojnë diçka ndryshe. Të mungosh dikë nuk do të thotë domosdoshmërisht se duhet të rikthehesh me të. Por, nëse arsyet që ju ndanë janë adresuar, besimi mund të rindërtohet dhe dëshirat tuaja për të ardhmen përputhen, një mundësi e dytë mund të jetë më shumë sesa thjesht nostalgji./k.m
