Eurodeputetja Anna Strolenberg ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me pretendimin se qytetarëve shqiptarë që marrin pjesë në protesta mund t’u ndalohet hyrja në Bashkimin Evropian.
Përmes një mesazhi, Strolenberg i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta, duke u bërë thirrje shqiptarëve të mos dekurajohen nga ushtrimi i së drejtës për tubim paqësor.
“Më është thënë se shqiptarët po paralajmërohen nga Edi Rama se, nëse marrin pjesë në protesta, do t’u refuzohet hyrja në BE. Ky pretendim është i RREMË!”, deklaron Strolenberg.
Eurodeputetja thekson se qytetarët nuk duhet të lejojnë që pretendime të tilla t’i pengojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore.
“Ju lutem, mos lejoni që pretendimet e rreme t’ju dekurajojnë nga ushtrimi i së drejtës suaj për tubim paqësor. E di që këto janë kohë të vështira dhe shqetësuese. Ruani veten!”, përfundon eurodeputetja./mxh
