Last Updated on 27/10/2026 by EL
Një gjykatë në Irak dënoi të martën me burgim shtatë shtetas francezë, të akuzuar për përkatësi në organizatën terroriste Shteti Islamik (ISIS).
Këshilli i Lartë Gjyqësor i Irakut dënoi me burgim të përjetshëm Lakhdar Sebouai, Adel Bou Aoun, Anas Abdul Rahman, Ziad Ahmad, Mehdi Sida dhe Benjamin Van Han. Sipas legjislacionit irakian, burgimi i përjetshëm është i barasvlershëm me 20 vjet heqje lirie.
I pandehuri i shtatë, Amza Benabed, 24 vjeç, u dënua me 15 vjet burg. Të shtatë të dënuarit kanë 30 ditë kohë për të paraqitur apelim.
Sipas një deklarate të gjykatës, ata u konsideruan veçanërisht të rrezikshëm për shkak të rolit të tyre në kërcënimin e sigurisë kombëtare të Irakut, destabilizimin e Irakut dhe Sirisë, si dhe përfshirjen në nxitjen e operacioneve terroriste në vende të tjera.
Të shtatë ishin pjesë e një grupi prej 47 shtetasish francezë të dyshuar për lidhje me ISIS. Ata u mbajtën në Siri deri vitin e kaluar, kur u transferuan në Irak për t’u gjykuar. Në seancën gjyqësore ishin të pranishëm avokatët mbrojtës dhe përfaqësues të ambasadës franceze.
Sipas ligjit irakian, vendimet e gjykatave penale i nënshtrohen gjithashtu shqyrtimit nga Gjykata e Kasacionit, pavarësisht nëse të pandehurit kanë paraqitur apo jo apelim.
Mijëra të dyshuar për lidhje me ISIS mbahen në Irak
Organizata Shteti Islamik u shtri në Irak në vitin 2014, duke pushtuar territore të gjera në perëndim të vendit dhe në Sirinë fqinje, ku shpalli qendrën e kalifatit të vet.
Megjithëse organizata humbi kontrollin mbi këto territore disa vite më parë, ajo vazhdon të ketë qeliza aktive që kryejnë herë pas here sulme në të dyja vendet.
Aktualisht, Iraku mban mijëra persona të dyshuar për përkatësi në ISIS. Mes tyre janë më shumë se 5.700 të burgosur të transferuar nga verilindja e Sirisë, pas përleshjeve që shpërthyen në janar mes forcave qeveritare siriane dhe Forcave Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët.
Për një kohë të gjatë, këto të fundit kishin ruajtur qendrat e paraburgimit ku mbaheshin luftëtarët xhihadistë dhe familjarët e tyre, pas rënies së kalifatit të ISIS.
Gjatë përleshjeve të janarit, disa persona të ndaluar për lidhje me ISIS arritën të arratiseshin. Kjo shtoi frikën për arratisje në shkallë më të gjerë dhe çoi në transferimin e të burgosurve të mbetur drejt Irakut.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Irakut, Qasim al-Aboudi, deklaroi në fillim të këtij muaji se Siria kishte kërkuar transferimin në Damask të rreth 4.000 shtetasve sirianë të dyshuar për lidhje me ISIS, në mënyrë që të gjykoheshin atje. Megjithatë, Bagdadi e refuzoi kërkesën.
