Exit-pollet tregojnë një garë të ngushtë mes bllokut të Benjamin Netanyahut dhe atij të Gadi Eisenkotit, ndërsa partitë arabe mund të bëhen vendimtare për formimin e qeverisë së re. Pjesëmarrja në votime arriti nivelin më të lartë në dekada.
Zgjedhjet parlamentare në Izrael po shkojnë drejt një ngërçi politik, pasi rezultatet paraprake të exit-polleve nuk nxjerrin një fitues të qartë mes kryeministrit veteran Benjamin Netanyahu dhe ish-shefit të ushtrisë Gadi Eisenkot.
Sipas projeksioneve të dy televizioneve izraelite, blloku opozitar i udhëhequr nga Eisenkot dhe koalicioni i Netanyahut pritet të sigurojnë nga 51 vende secili në Knesset, parlamentin izraelit me 120 deputetë. Një sondazh i tretë i dha një avantazh të lehtë bllokut të kryeministrit.
Në këto kushte, asnjëri prej kampeve nuk duket në gjendje të sigurojë i vetëm shumicën prej 61 mandatesh, duke e bërë vendimtare mbështetjen e partive të tjera për formimin e qeverisë. Pjesëmarrja në zgjedhje arriti në 77.7% deri në mbylljen e qendrave të votimit, në orën 22:00 sipas orës lokale. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ky ishte niveli më i lartë i regjistruar në këtë orar që prej vitit 1999.
Rezultatet zyrtare pritet të publikohen gjatë natës, por numërimi i plotë i rreth 600 mijë votave të hedhura në mungesë, kryesisht nga personeli ushtarak, pritet të përfundojë të enjten. Në selinë e partisë Yashar të Eisenkotit në Tel Aviv, mbështetësit festuan pas publikimit të exit-polleve, duke brohoritur kundër Netanyahut.
Eisenkot deklaroi se mbështetësit e tij kishin “bërë histori” dhe premtoi të punojë për krijimin e një qeverie që do të përfaqësojë vendimin e qytetarëve. Ndërkohë, aleati i tij, ish-kryeministri Yair Lapid, e cilësoi rezultatin e bllokut të Netanyahut si një humbje të rëndë.
Nga ana tjetër, në selinë e Likud-it në Jerusalem, mbështetësit e kryeministrit shfaqën shqetësim, por refuzuan të pranonin humbjen. Ministri i Jashtëm Gideon Saar i cilësoi festimet e opozitës si të parakohshme, ndërsa ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, u bëri thirrje mbështetësve të tij të luten për krijimin e një qeverie të djathtë.
Pas përditësimit të exit-polleve në orët e para të së mërkurës, dy televizione raportuan barazi me nga 51 mandate për secilin bllok, ndërsa një tjetër i dha koalicionit të Netanyahut 52 vende, kundrejt 49 për kampin e Eisenkotit. Vëmendja tani është përqendruar te dy partitë arabe, Lista e Bashkuar Arabe dhe Lista e Përbashkët, të cilat sipas projeksioneve mund të sigurojnë gjithsej 18 ose 19 mandate.
Pjesëmarrja e lartë e votuesve arabë izraelitë, të cilët përbëjnë rreth një të pestën e popullsisë së vendit, mund t’u japë këtyre forcave një rol kyç në negociatat për krijimin e qeverisë. Kreu i Listës së Bashkuar Arabe, Mansour Abbas, shprehu shpresën se opozita dhe partia e tij do të arrijnë së bashku pragun prej 61 mandatesh.
Pas zgjedhjeve të vitit 2021, partia e Abbasit ishte pjesë e një koalicioni qeverisës të drejtuar nga Naftali Bennett dhe Yair Lapid. Qeveria zgjati vetëm një vit përpara se të shpërbëhej. Megjithatë, bashkëpunimi me partitë arabe mbetet një çështje e ndjeshme në politikën izraelite dhe vetëm një nga forcat politike ka mbështetur hapur përfshirjen e tyre në qeveri.
Këto janë zgjedhjet e para që prej sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe luftërave që pasuan në Gaza, Liban dhe Iran. Fushata u përqendrua te përgjegjësia për dështimet e sigurisë që paraprinë sulmet, drejtimi i luftërave rajonale, ndarja e barrës së shërbimit ushtarak, reformat në drejtësi dhe pozicioni ndërkombëtar i Izraelit.
Rezultati pritet të përcaktojë jo vetëm udhëheqjen e ardhshme të vendit, por edhe nëse Izraeli do të vazhdojë kursin aktual politik të karakterizuar nga nacionalizmi fetar dhe politikat e ashpra të së djathtës.
Pas konfirmimit të rezultateve përfundimtare, presidenti i Izraelit do të konsultohet me partitë politike dhe do t’i kërkojë liderit që vlerësohet se ka shanset më të mëdha të krijojë një koalicion qeverisës. Procesi mund të zgjasë disa javë. Nëse asnjë lider nuk arrin të formojë një qeveri, vendi mund të detyrohet të zhvillojë zgjedhje të reja./k.m
