Ish-prokurori Juan Francisco Solórzano Foppa, i njohur për luftën kundër korrupsionit në Guatemalë, u vra më 17 tetor në një sulm të armatosur në mes të ditës, në një qendër sportive në kryeqytet, në prani të djalit të tij. Vrasja e 43-vjeçarit ka tronditur vendin e Amerikës Qendrore, veçanërisht për shkak të denoncimeve të tij të vazhdueshme për lidhjet e dyshuara mes zyrtarëve të lartë, politikanëve, biznesmenëve dhe grupeve kriminale.
Pas ngjarjes, drejtori i Policisë së Guatemalës, David Custodio, dhe zëvendësi i tij, Esvin Quiché, u shkarkuan nga detyra. Vendimi u njoftua nga ministri i Brendshëm, Marco Antonio Villeda, i cili deklaroi se ndryshimet janë pjesë e një procesi rishikimi dhe riorganizimi institucional, me synimin për të forcuar policinë.
Para vrasjes, Solórzano Foppa kishte akuzuar publikisht Custodion për bashkëpunim me krimin e organizuar, duke e lidhur me bandën Barrio 18 dhe duke pretenduar se kishte lehtësuar arratisjen e 20 drejtuesve të saj nga një burg i sigurisë së lartë një vit më parë. Akuzat ndaj ish-drejtorit të policisë vijnë në një kohë kur Guatemala po përballet me rritjen e kriminalitetit dhe tensionet politike, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2027./ad
