Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona pas protestës së zhvilluar më 27 tetor para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë.
Të arrestuarit dyshohet se kundërshtuan punonjësit e policisë, sulmuan me sende të forta institucionin dhe dogjën kazanë mbeturinash, duke dëmtuar pronën publike dhe bllokuar qarkullimin në Rrugën e Durrësit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, në pranga kanë rënë 49-vjeçare Vera Camaj dhe 27-vjeçari Besmir Pula. Arrestimet u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3.
Nga verifikimet e kryera nga Policia, 27-vjeçari i arrestuar është autor i një vjedhjeje të kryer më 23 tetor 2026, në rrugën “Abdi Toptani”, në Tiranë. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka vjedhur kasën e një motomjeti në pronësi të shtetasit me inicialet Xh. C., me vlerë rreth 1 000 euro. Materialet procedurale për të dy të arrestuarit i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Ata dyshohen për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Vjedhja”.
Hetimet për dokumentimin e plotë të rastit vijojnë në bashkëpunim me organet kompetente të drejtësisë.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Kundërshtuan punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin në Rrugën e Durrësit dhe dogjën kazanë për mbeturina, arrestohen 2 shtetas.
Njëri prej tyre, autor i dyshuar i një vjedhjeje të kryer 5 ditë më parë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan në flagrancë shtetasit V. C., 49 vjeçe dhe B. P., 27 vjeç, pasi gjatë protestës së zhvilluar më datë 27.10.2026, përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, dyshohet se kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, kanë hedhur sende të forta, në drejtim të Ministrisë së Arsimit, si dhe se kanë djegur kazanë për mbeturina.
Si pasojë u dëmtua prona publike dhe u bllokua qarkullimi në Rrugën e Durrësit.
Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se shtetasi i arrestuar, B. P., më datë 23.10.2026, në rrugën “Abdi Toptani”, ka vjedhur kasën e motomjetit të shtetasit Xh. C. (me vlerë rreth 1000 euro).
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Vjedhja”./k.m
