Last Updated on 28/10/2026 by Monika
Partia e Demokratëve Evropianë (PDE/EDP) ka reaguar lidhur me pamjet e dhunës ndaj protestuesve në Tiranë, duke publikuar edhe rastin e qytetarit Lulzim Gjini, i cili, sipas deklaratës së saj, është dhunuar nga policia gjatë protestave studentore.
Në reagimin e saj, PDE/EDP shprehet se pamjet që vijnë nga Tirana janë gjithnjë e më shqetësuese. Partia ka publikuar gjithashtu momentin kur efektivë të forcave “Shqiponja” godasin me shkop gome një qytetar, të identifikuar si Lulzim Gjini.
“Ai u rrah brutalisht me shkopinj gome”, thuhet në deklaratë, ku më tej PDE thekson se, si pasojë e dhunës, protestuesi ka pësuar brinjë të thyera, fraktura në kafkë dhe hematoma.
PDE/EDP ia adreson përgjegjësinë politike kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar që ai të mbajë përgjegjësi për atë që partia e cilëson si dhunë çnjerëzore ndaj protestuesve paqësorë.
“Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për dhunën çnjerëzore të ushtruar ndaj protestuesve paqësorë. Çdo akt shtypjeje, çdo sulm ndaj lirive themelore, e largon Shqipërinë gjithnjë e më shumë nga Evropa”, theksohet në reagimin e demokratëve evropianë./mxh
