Ka nisur dita e dytë e garës së precizionit me parashuta në kuadër të edicionit të 15-të të “Korça Open Air”. Pas përfundimit të pesë raundeve të para gjatë ditës së djeshme, pilotët janë rikthyer që në orët e para të mëngjesit të sotëm në garë, për të vijuar me raundet e radhës.
Pas pesë raundeve të para, në krye të klasifikimit renditet piloti nga Kosova, Migjen Shala, i cili ka arritur të sigurojë pozicionin e parë deri në këtë fazë të kompeticionit.
Gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohen edhe pesë raunde të tjera, të cilat do të jenë vendimtare për ecurinë e garës dhe përcaktimin e renditjes përfundimtare. Konkurrenca mes pilotëve është mjaft e fortë, pasi çdo ulje dhe saktësi në pikën e përcaktuar mund të ndikojë në rezultatet e përgjithshme./k.m
