Last Updated on 31/10/2026 by Klara
Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje që postin e presidentit të ardhshëm të Gjermanisë të mbajë një grua, duke theksuar se gjatë 77 viteve të historisë së vendit asnjë grua nuk e ka mbajtur këtë post.
Në një intervistë për televizionin MagentaTV, Merkel u shpreh se ka ardhur koha që Gjermania të shqyrtojë seriozisht mundësinë e zgjedhjes së një gruaje në krye të shtetit, ndërsa shtoi se njeh gra të afta për ta ushtruar këtë funksion, por pa përmendur emra konkretë.
Konventa Federale e Gjermanisë do të zgjedhë presidentin e ri më 30 janar. Presidenti aktual, Frank-Walter Steinmeier, nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë radhazi. Edhe pse posti i presidentit ka kryesisht karakter ceremonial, ai përfaqëson kreun e shtetit gjerman.
Ndër emrat që përmenden si kandidatë të mundshëm është Ilse Aigner, kryetare e Parlamentit të Bavarisë, e cila mbështetet nga Markus Söder, lideri i Unionit Kristian Social (CSU).
Në diskutimet për këtë post janë përfshirë gjithashtu Julia Klöckner, kryetare e Bundestagut, ministrja e Arsimit Karin Prien dhe ish-ministrja e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer, të gjitha nga Unioni Kristian Demokrat (CDU). Merkel e cilësoi debatin për këtë çështje si “të çuditshëm”, duke kritikuar edhe atë që e përshkroi si një ton të pakëndshëm në diskutimet publike.
Gjatë intervistës, ish-kancelarja foli edhe për drejtimin politik të CDU-së, duke theksuar se identiteti i partisë nuk duhet të kufizohet vetëm te politikat ekonomike.
“CDU ka qenë gjithmonë e angazhuar për ndërtimin e urave me të gjitha shtresat e shoqërisë dhe kjo duhet të rikthehet në plan të parë”, u shpreh Merkel./k.m
