Last Updated on 03/11/2026 by Klara
Pacientët me sëmundje tumorale do të përfitojnë ndjekje më të koordinuar mes spitaleve rajonale dhe qendrave shëndetësore. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, e cila njoftoi se ky rrjet bashkëpunimi do të vihet në funksion nga 1 janari 2027.
Gjatë një vizite në Spitalin Rajonal të Vlorës, ministrja shpjegoi se me nisjen e punës së Institutit Kombëtar të Onkologjisë do të lidhen pikat e kimioterapisë në spitalet rajonale me qendrat shëndetësore.
Sipas Spahiut, kjo skemë synon të përmirësojë komunikimin mes mjekëve onkologë dhe mjekëve të familjes, duke bërë të mundur që pacientët të ndiqen në mënyrë të vazhdueshme dhe të marrin kujdesin e nevojshëm edhe pranë vendbanimit të tyre.
Vëmendje e veçantë, sipas ministres, do t’u kushtohet personave që jetojnë në zona të largëta, të moshuarve dhe pacientëve që kanë vështirësi në lëvizje, për të shmangur pengesat në marrjen e shërbimeve shëndetësore.
Gjatë vizitës në Vlorë, Spahiu u ndal edhe te ndryshimet në shërbimin e hemodializës. Spitali Rajonal i Vlorës është një prej pesë spitaleve ku, prej 1 nëntorit, ky shërbim ka kaluar në administrimin e strukturave shtetërore.
Në takimin me stafin mjekësor u diskutua edhe për kontrollet parandaluese të kancerit të gjirit. Në Spitalin Rajonal të Vlorës janë kryer 342 mamografi gjatë muajit tetor.
Ministrja theksoi se ekzaminimet parandaluese nuk duhet të kryhen vetëm gjatë muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, por duhet të vijojnë përgjatë gjithë vitit./ad
