Last Updated on 03/11/2026 by Monika
Pas një serie sulmesh kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes në supermarketet evropiane, policia gjermane po heton disa raste të ngjashme të regjistruara në vend.
Sipas autoriteteve, persona të paidentifikuar dyshohet se kanë depërtuar në sistemet e frigoriferëve në disa lande gjermane dhe kanë rritur temperaturat e tyre, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për bizneset e prekura.
Komisioni Evropian ka thirrur disa takime krize për të shqyrtuar situatën.
Komisioneri evropian për Bujqësinë, Christopher Hansen, e cilësoi këtë një përpjekje të qëllimshme për të ndërprerë furnizimin me ushqime dhe për të cenuar besimin e konsumatorëve.
Megjithatë, ai theksoi se aktualisht siguria e furnizimit me produkte ushqimore nuk është në rrezik.
Sipas njoftimeve të policisë, sistemet e ftohjes në disa rajone të Gjermanisë dyshohet se janë paralizuar përmes sulmeve kibernetike.
Zëdhënës të policisë thanë se temperaturat në frigoriferë ishin ngritur në nivele aq të larta, saqë produktet ushqimore ishin prishur dhe duhej të asgjësoheshin.
Hetimet po përpiqen të zbardhin mënyrën e ndërhyrjes në sistemet teknologjike dhe personat përgjegjës.
Një nga rastet është regjistruar në landin e Saksonisë së Poshtme, ku zinxhiri frigoriferik i një supermarketi në Lilienthal, pranë Bremenit, u ndërpre përkohësisht.
Pronari i biznesit, Daniel Breiding, deklaroi se dëmi ekonomik ishte shumë i madh.
“Na u desh të hidhnim produkte me vlerë mbi 360 000 euro”, tha ai.
Sulmet kanë ngritur shqetësime për cenueshmërinë e sistemeve teknologjike që garantojnë ruajtjen dhe shpërndarjen e produkteve ushqimore.
Autoritetet evropiane po shqyrtojnë përmasat e incidentit dhe ndikimin e mundshëm në zinxhirët e furnizimit, ndërsa hetimet policore vazhdojnë në disa vende./mxh
