Eduart Xhani është 21-vjeçari me origjinë shqiptare, i cili akuzohet për vrasjen me thikë të nënës së tij, Meleqe Lusha, 39 vjeçe, në banesën e tyre në Chiari, në provincën e Brescias, Itali. I lindur në San Bonifacio, në provincën e Veronës, i riu ishte rritur në Itali dhe jetonte me të ëmën, me të cilën ishte zhvendosur në një apartament të ri në muajin gusht.
Përpara ngjarjes së rëndë, Xhani përshkruhej nga personat që e njihnin si një djalë i rezervuar, i qetë, i edukuar dhe korrekt. Ai kishte ndjekur studimet në institutin Einaudi, ku ishte orientuar drejt turizmit, ndërsa gjatë shkollës kishte kryer praktikë në një agjenci imobiliare në Chiari. Më pas kishte punuar me dajet e tij në sektorin e ndërtimit, përpara se të gjente punë në një fabrikë të zonës.
I rritur nga nëna, me mbështetjen e katër dajeve, vëllezërit e Meleqes, Eduarti kishte pasur një marrëdhënie të njohur me komunitetin shqiptar të zonës. Sipas dëshmive të personave që e njihnin, ai ishte i apasionuar pas sportit dhe palestrës, ndërsa nuk kishte shfaqur sjellje problematike apo pasur konflikte të njohura me ligjin.
Kontrasti mes këtij portreti dhe krimit të rëndë ka tronditur komunitetin e Chiarit. Ish-punëdhënësi i tij, Denis Beqiri, njëkohësisht president i shoqatës shqiptare në zonë, e ka përshkruar si një të ri të përpiktë, buzagaz dhe të përgjegjshëm. Edhe fqinjët dhe prindërit e shokëve të shkollës kanë shprehur habinë, duke thënë se nuk e kishin njohur kurrë si një person të dhunshëm.
Ngjarja ndodhi natën e 2 nëntorit. Sipas hetimeve paraprake, 21-vjeçari e goditi nënën me thikë disa herë në banesë dhe më pas u largua. Pas disa orësh, ai u paraqit vetë në karabinierët e Kremonës, ku deklaroi se kishte vrarë të ëmën dhe tregoi vendndodhjen e trupit. Ai u arrestua dhe u dërgua në burgun Canton Mombello në Brescia./ad
