Programi “Trashëgimia Kulturore dhe Muzetë” do të ketë një buxhet prej 2,08 miliardë lekësh në vitin 2027, ose 80% më shumë se në vitin 2026. Shifrat u bënë të ditura nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin e Kulturës, Turizmit dhe Diasporës.
Nga fondi total, 1,11 miliardë lekë, ose 53%, do të shkojnë për investime me financim të brendshëm dhe të huaj. Sipas Gonxhjes, ky fond është katërfishuar.
Ministri u ndal edhe te rritja e numrit të vizitorëve në sitet e trashëgimisë kulturore. Në vitin 2013, këto site pritën 325 mijë vizitorë dhe siguruan rreth 53 milionë lekë të ardhura, ndërsa në vitin 2025 numri i vizitorëve arriti në mbi 1,5 milionë.
Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, sitet e trashëgimisë kulturore janë vizituar nga mbi 1,32 milionë persona, duke gjeneruar mbi 528 milionë lekë të ardhura.
Një nga projektet kryesore të parashikuara për vitin 2027 është restaurimi dhe rikonstruksioni i Muzeut Historik Kombëtar, së bashku me rikonceptimin e plotë të linjës muzeore. Projekti do të ketë asistencën teknike të Bankës Evropiane të Investimeve.
Ndërhyrje do të kryhen edhe në Kalanë e Gjirokastrës, Kalanë dhe kullat hyrëse të Beratit, Amfiteatrin Romak të Durrësit dhe Kalanë e Krujës. Restaurime janë parashikuar gjithashtu në disa kisha, manastire dhe monumente të tjera në vend.
Një tjetër projekt është shpëtimi i banesave private monument kulture që rrezikojnë degradimin apo shembjen. Për vitin 2027 synohet restaurimi i rreth 30 banesave në Gjirokastër, Berat dhe Shkodër.
Sipas skemës së prezantuar nga Gonxhja, shteti do të mbulojë shpenzimet që lidhen drejtpërdrejt me mbrojtjen e vlerave kulturore, ndërsa pronarët do të paguajnë pjesën tjetër të kostos së restaurimit, sipas preventivit të miratuar.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se gjatë periudhës 2024-2026, listës së trashëgimisë së mbrojtur i janë shtuar 15 qendra historike, ansamble urbane dhe zona arkeologjike. Ndërkohë, investimet në objektet e trashëgimisë kulturore gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2026 janë pesëfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Projektbuxhetin për vitin 2027 parashikon 7,65 miliardë lekë për sektorët e turizmit, kulturës, sportit dhe rinisë, me një rritje prej 3,5% krahasuar me vitin 2026./k.m
