Last Updated on 05/11/2026 by EL
Mabtex Group ka nisur aktivitetin e tij në Shqipëri me projektin Green Coast Hills në Palasë, një kompleks që përfshin 341 njësi banimi, mes vilash dhe apartamentesh. Kompania parashikon përfundimin e projektit në fillim të vitit 2029, ndërsa paralajmëron edhe investime të tjera në Kepin e Rodonit, Tiranë dhe Durrës. Në këtë intervistë, Armisa Saliaj, drejtoreshë e Shitjeve në Green Coast Hill flet për ecurinë e punimeve, mundësitë e financimit për blerësit dhe planet e zgjerimit, duke theksuar synimin për të qëndruar gjatë në tregun shqiptar.
Me çfarë vjen të re Mabtex në këtë projekt?
Mabtex Group vjen për herë të parë me një projekt ndërtimi në një nga zonat më të bukura të Palasës, në Rivierën Shqiptare. Aktualisht, projekti përfshin 341 njësi banimi, nga të cilat 97 janë vila dhe 242 janë apartamente të tipologjive të ndryshme.
Kur do të mund ta prekin qytetarët këtë projekt, pra ta shohin të përfunduar dhe ta përjetojnë nga afër?
Ne kemi rreth 12 muaj, pra gati një vit, që kemi nisur punimet. Aktualisht, 60 vilat e para kanë përfunduar fazën e betonit të armuar dhe ndërtimin e mureve perimetrale. Parashikojmë që në fillim të vitit 2029 të përfundojë e gjithë zona e ndërtimit të Green Coast Hills. Momentalisht ne kemi zyrat tona në Palasë, ku qytetarët mund të vijnë dhe të na vizitojnë. Kjo u jep mundësinë të shohin nga afër ecurinë e punimeve dhe të ndjekin të gjitha fazat e ndërtimit, që nga gërmimet fillestare, deri te zhvillimi i strukturave dhe hedhja e betonit. Në këtë mënyrë, ata që investojnë apo blejnë në Green Coast Hills mund të ndjekin nga afër çdo detaj të projektit. Gjithashtu, kemi një vilë që është drejt përfundimit dhe ku mund të shihen konkretisht të gjitha detajet e punimeve. Ajo është pothuajse e përfunduar, duke përfshirë vetratat, shtrimin e dyshemeve, parketin, pllakat dhe pajisjet hidrosanitare. Të gjitha këto janë të një cilësie shumë të lartë. Mabtex synon pikërisht të jetë një nga pikat kyçe të këtij projekti për sa i përket cilësisë së ndërtimit.
Si mund të bëjnë të tyren një vilë apo apartament në bregdetin shqiptar qytetarët që dëshirojnë të investojnë në një pronë të tillë? Çfarë mundësish financimi ofroni?
Ne kemi mundësi financimi për të gjithë klientët tanë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Aktualisht, në Kosovë bashkëpunojmë me Bankën Ekonomike, e cila financon deri në 90 për qind të vlerës së pronës për shtetasit e Kosovës dhe ata të diasporës. Ndërsa në Shqipëri kemi mundësi financimi deri në 70 për qind të vlerës së pronës, përmes bashkëpunimit me një nga bankat e nivelit të dytë. Klientët kanë mundësi të përfitojnë financim pa kolateral, çka e lehtëson ndjeshëm procesin për të gjithë ata që dëshirojnë të blejnë apo të investojnë në Green Coast Hills.
Duket se në këtë rast ka lehtësi të veçanta për shtetasit me kombesi shqiptare. Pra, kemi të bëjmë me një projekt shqiptar, që synon të tërheqë edhe investitorët nga diaspora?
Është një projekt shqiptar dhe, sigurisht, kemi parashikuar lehtësi edhe për shtetasit e diasporës. Jo të gjitha bankat në Shqipëri ofrojnë mundësi financimi për këtë kategori klientësh. Ndërsa në Kosovë, të gjithë ata që janë pjesë e diasporës dhe dëshirojnë të kenë një pronë në bregdetin shqiptar janë të mirëpritur të përfitojnë nga mundësitë e financimit pa kolateral.
Cilat jane planet e Mabtex për të ardhmen në Shqipëri?
Përveç Green Coast Hills, ne kemi në plan edhe disa projekte të tjera. Së shpejti do të zhvillojmë një projekt në Kepin e Rodonit, i cili do të jetë pothuajse trefishi i Green Coast Hills për nga përmasat. Gjithashtu, kemi plane për zhvillime të reja në Tiranë, në zonën e Bulevardit të Ri, si dhe në sektorin Rinia në Durrës.
Green Coast Hills është projekti ynë i parë në Shqipëri, por synimi është që të jemi të pranishëm për një kohë të gjatë në tregun shqiptar, përmes të gjitha këtyre investimeve. Besoj se cilësia e ndërtimit që ofron Mabtex do të jetë një element që do të vlerësohet nga klientët tanë dhe që do të na shoqërojë edhe në projektet e ardhshme. Synojmë që kënaqësia e klientëve që kanë investuar për herë të parë në Green Coast të përcillet edhe në projektet e tjera që do të zhvillojmë në Shqipëri.
