Last Updated on 06/11/2026 by Monika
Kanë kaluar 30 vite nga publikimi i filmit të njohur “Matilda”, por kujtimet e kësaj historie duket se mbeten ende të gjalla për aktorët dhe fansat e saj. Me rastin e përvjetorit të filmit, disa prej protagonistëve u ribashkuan në një event të veçantë të organizuar në Royal Albert Hall në Londër.
Filmi, i publikuar në vitin 1996, u bazua në librin me të njëjtin emër të shkrimtarit Roald Dahl. Rolin e vogëlushes Matilda Wormwood e interpretoi Mara Wilson, ndërsa në kastin e filmit ishte edhe Pam Ferris. Danny DeVito jo vetëm që drejtoi filmin, por interpretoi edhe rolin e babait të Matildës, Harry Wormwood.
Për të shënuar 30-vjetorin e premierës, Danny DeVito bashkëpunoi me kompozitorin David Newman për një shfaqje të veçantë muzikore. Orkestra Royal Philharmonic Concert Orchestra interpretoi kolonën zanore të filmit, ndërsa historia u rrëfye drejtpërdrejt për publikun.
Gjatë eventit, DeVito zbuloi se disa prej aktorëve të kastit origjinal do të ngjiteshin në skenë. E para u shfaq Mara Wilson, e cila sot është 39 vjeçe. Më pas u bashkua edhe Pam Ferris, tashmë 78 vjeçe, e cila në film interpretoi drejtoreshën e rreptë të shkollës, zonjushë Trunchbull.
Në skenë u shfaqën gjithashtu Kiami Davael, Jacqueline Steiger dhe Kira Spencer Hesser, të cilat luajtën përkatësisht shoqet e Matildës, Lavender, Amanda dhe Hortensia.
Mara Wilson ndau në Instagram një fotografi nga ribashkimi, duke shprehur emocionet për këtë takim të veçantë./mxh
