Last Updated on 06/11/2026 by Monika
Një rrjet i dyshuar për trafikimin e emigrantëve, me aktivitet të paktën që prej qershorit 2025, është shkatërruar nga Policia greke pas një operacioni në Igumenicë dhe Selanik. Në kuadër të operacionit janë arrestuar 10 persona, ndërsa hetimet kanë zbuluar 41 raste të transportimit të më shumë se 500 emigrantëve. Përfitimi i paligjshëm i organizatës dyshohet të ketë arritur në të paktën 750 mijë euro.
Sipas hetimeve të autoriteteve greke, emigrantët vinin nga Nepali, Jemeni dhe Kina. Ata hynin në Greqi në këmbë, përmes shtigjeve të vështira malore nga territori i Shqipërisë, duke pasur si pikë të parë mbërritjeje zona të Igumenicës. Anëtarët e rrjetit u siguronin emigrantëve strehim të përkohshëm në banesa ose në çadra të improvizuara, si dhe ushqime, ujë dhe karta SIM, kundrejt pagesave të larta.
Më pas organizonin transportimin e tyre me autobusë ndërqytetës, kryesisht drejt Athinës dhe Patrës, ndërsa në disa raste edhe drejt vendeve të tjera jashtë Greqisë. Sipas mediave greke, një pjesë e emigrantëve dërgoheshin për të punuar në sektorin bujqësor në Peloponez, pa respektuar procedurat ligjore të punësimit. Në disa raste, anëtarët e organizatës u mbanin pasaportat emigrantëve si garanci për shlyerjen e shumave që u detyroheshin për transportin. Borxhet shlyheshin përmes punës së tyre.
Nga 10 personat e arrestuar, tre janë shtetas të huaj: dy burra nga Siria dhe një grua nga Shqipëria. Shtatë të tjerët janë shtetas grekë. Në këtë çështje dyshohet edhe një 26-vjeçar, i cili ndodhet tashmë në paraburgim.
Për koordinimin e veprimtarisë dhe shmangien e kontrolleve policore, anëtarët e rrjetit përdornin një rrjet të mbyllur komunikimi përmes aplikacioneve online. Nëpërmjet tij shkëmbenin informacione edhe për lëvizjet e forcave të policisë.
Gjatë kontrolleve në tri banesa dhe një biznes, autoritetet sekuestruan:
– Tre automjete;
– Telefona celularë dhe pajisje elektronike;
– 1.150 euro në para të gatshme;
– Katër pasaporta.
Gjatë operacionit u arrestuan gjithashtu 21 shtetas të huaj, të cilët nuk dispononin dokumentacion të rregullt qëndrimi në Greqi. Pesë prej tyre u gjetën në banesën e një personi të dyshuar si pjesë e organizatës, ku jetonin dhe punonin në mënyrë të paligjshme në biznesin e tij. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Europol dhe me pjesëmarrjen e shërbimeve policore nga Igumenica, Selaniku dhe Patra./mxh
