Last Updated on 07/11/2026 by Monika
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi ka sqaruar përmes një postimi në rrjetet sociale arsyet se përse një pjesë e mediave dhe televizioneve janë gjobitur për shkak të deklaratave që janë bërë në këto televizione lidhur me protestat.
Postimin e saj, Krasniqi e ka shoqëruar dhe me një video ilustruese ku bëhet thirrje për dhunë dhe për këtë nuk ka asnjë reagim nga moderatori.
Ajo shkruan se kritika ndaj qeverisë ka vendin e saj në ekran por kur në studio bëhet thirrje për dhunë reagimi i moderatorit është pjesë e përgjegjësisë editoriale të televizionit.
Gjithashtu në videon ilustruese, janë përmendur dhe ligjet që dënojnë përdorimin e një gjuhe të tillë dhe mosreagimin nga moderatori.
Postimi i plotë:
“Një fjali në studio”??? Ndiqeni videon dhe gjykojeni vetë.
Në këtë video bëhet thirrje për të marrë armët kundër Kuvendit të Shqipërisë; për pushkatimin e një njeriu.
Si mund ta quajmë këtë liri fjale?
Unë e mbështes vlerësimin e administratës së AMA-s. Administrata shqyrtoi çfarë u tha, në çfarë konteksti u tha dhe si u trajtua në transmetim. Në fragmentin që po ndaj sot, të dyja thirrjet për dhunë kaluan pa reagim nga moderatori.
Kritika ndaj qeverisë, sado e ashpër, patjetër ka vendin e saj në ekran. Por, kur në studio bëhet thirrje për dhunë, reagimi, qëndrimi apo kundërshtimi i moderatorit është pjesë e përgjegjësisë editoriale të televizionit.
Procesi vijon më pas me ankimimin në Bordin e AMA-s dhe, nëse është e nevojshme, në gjykatë.
Gjykata e Strasburgut mbron edhe kritikën më të ashpër ndaj pushtetit. Kur në ekran bëhet thirrje për dhunë, ajo shqyrton fjalët konkrete, kontekstin dhe mënyrën si janë transmetuar.
Prandaj, para se ta quajmë “një fjali në studio”, le të dëgjojmë çfarë u tha./mxh
