Nju Jorku ka nisur përgatitjet për festat e fundvitit. Një bredh gjigant, 75-vjeçar dhe 23 metra i lartë, ka mbërritur në Manhatan, ku është vendosur në sheshin e famshëm “Rockefeller Center” për Krishtlindje.
Bredhi, që peshon rreth 11 tonë dhe ka një gjerësi prej 15 metrash, u transportua nga West Edmeston, në shtetin e Nju Jorkut, pas një udhëtimi prej rreth 320 kilometrash. Qindra njerëz u mblodhën për të ndjekur mbërritjen e tij. Pema u ngrit me vinç dhe u vendos pranë pistës së famshme të patinazhit në akull.
Në ditët në vijim, bredhi do të zbukurohet me më shumë se 50 mijë drita LED shumëngjyrëshe, të shpërndara përgjatë tetë kilometrave kabllo. Në majë të tij do të vendoset edhe ylli i famshëm “Swarovski”, që peshon rreth 408 kilogramë.
Ceremonia zyrtare e ndezjes së dritave do të mbahet më 2 dhjetor dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në televizion. Bredhi do të qëndrojë i ekspozuar deri më 9 janar 2027, duke pritur vizitorë nga e gjithë bota.
Tradita e vendosjes së pemës së Krishtlindjeve në “Rockefeller Center” daton që nga viti 1931, kur punonjësit që po ndërtonin kompleksin vendosën një bredh të vogël, të zbukuruar me kurora të punuara me dorë. Ndërsa ceremonia e parë zyrtare e ndezjes së dritave u zhvillua në vitin 1933.
Pas përfundimit të festave, bredhi nuk do të hidhet. Druri i tij do t’i dhurohet organizatës jofitimprurëse “Habitat for Humanity”, për t’u përdorur në ndërtimin e banesave për familjet që kanë nevojë për strehim./k.m
