Last Updated on 08/11/2026 by Klara
Përmes një deklarate publike të shpërndarë nga avokati i tij, Ermal Yzeiraj, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka komentuar ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale për mënyrën se si mund të korrigjohet ose ndryshohet akuza gjatë seancës paraprake.
Beqaj e konsideron pozitiv propozimin që detyron gjykatën të arsyetojë në mënyrë të plotë dhe konkrete ftesën drejtuar prokurorit për korrigjimin e akuzës, si edhe parashikimin e pavlefshmërisë së aktit në rast të shkeljes së procedurës. Megjithatë, sipas tij, ndryshimi mbetet i paplotë pasi nuk përcakton qartë se çfarë akti duhet të ndërmarrë prokurori kur pranon kërkesën e gjykatës dhe si duhet t’i komunikohet akuza e ndryshuar të pandehurit.
Ai argumenton se një deklarim verbal apo një shkresë e thjeshtë e prokurorit nuk mund të konsiderohet automatikisht ndryshim i rregullt i akuzës dhe kërkon që ligji të përcaktojë formën e aktit, mënyrën e depozitimit, komunikimin me të pandehurin dhe kohën që duhet t’i lihet mbrojtjes për t’u përgatitur.
