Gjermania mund të ketë presidenten e saj të parë grua, pasi partitë konservatore Unioni Demokristian (CDU) dhe Unioni Social-Kristian (CSU) kanë rënë dakord të propozojnë politikanen bavareze, Ilse Aigner për këtë post, sipas “Reuters”.
Sipas raportimeve të medias gjermane, kancelari Friedrich Merz pritet ta paraqesë zyrtarisht kandidaturën e Aigner, në strukturat drejtuese të partisë gjatë takimeve të planifikuara sot dhe nesër në Berlin.
Aigner, 61 vjeçe, aktualisht është kryetare e Parlamentit të Landit të Bavarisë dhe anëtare e CSU-së, partisë simotër bavareze të CDU-së.
Ajo ka marrë gjithashtu mbështetjen e Partisë Socialdemokrate (SPD), partneres së koalicionit qeverisës.
Bashkëkryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, deklaroi se partia e tij do ta mirëpriste dhe mbështeste kandidaturën e Aigner, nëse ajo miratohet zyrtarisht nga drejtuesit e CDU-së dhe CSU-së.
Nëse zgjidhet, Aigner do të bëhet presidentja e parë grua e Gjermanisë dhe politikania e parë e CSU-së që merr këtë detyrë.
Zgjedhja e presidentit të ri federal është parashikuar të zhvillohet më 30 janar 2027 nga Asambleja Federale, organi kushtetues që ka kompetencën për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Presidenti aktual, Frank-Walter Steinmeier, do të përfundojë mandatin e tij të dytë pesëvjeçar në mars 2027 dhe nuk mund të rizgjidhet.
Ilse Aigner ka një karrierë të gjatë politike. Nga viti 2008 deri në vitin 2013, ajo shërbeu si ministre federale e Bujqësisë në qeverinë e atëhershme të kancelares Angela Merkel.
Në vitet e fundit, ajo ka drejtuar Parlamentin e Bavarisë, duke fituar mbështetje edhe përtej kufijve të partisë së saj.
Mbështetësit e kandidaturës së saj vlerësojnë përvojën politike dhe aftësinë për të bashkuar përfaqësues të forcave të ndryshme politike.
Posti i presidentit federal në Gjermani ka kryesisht karakter përfaqësues dhe ceremonial, ndërsa drejtimin e qeverisë dhe përcaktimin e politikave shtetërore e ushtron kancelari.
Megjithatë, presidenti ka një rol të rëndësishëm institucional dhe përfaqëson vendin brenda dhe jashtë tij.
Kandidatura e Aigner pritet të bëhet zyrtare pas vendimeve të strukturave drejtuese të CDU-së dhe CSU-së./mxh
