Dorian Puka ka vendosur të bëjë publike komunikimet që pretendon se ka pasur me përfaqësues të disa prej mediave më të njohura britanike, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si ato e trajtojnë historinë e tij.
Në postimet e publikuara në rrjetet sociale, shqiptari nga Laçi pretendon se gazetarë dhe producentë të lidhur me GB News e kanë kontaktuar vazhdimisht për intervista dhe dalje televizive, madje në disa raste i kanë ofruar edhe pagesë për pjesëmarrjen e tij.
Sipas Pukës, paradoksi qëndron te fakti se ndërsa në ekran ai paraqitet si një prej shembujve që përdoren në debatet për emigracionin dhe sigurinë në Britani, në komunikimet private të njëjtët njerëz përpiqen ta bindin të shfaqet në programet e tyre.
Ai përmend gjithashtu kontakte nga gazeta Daily Mail dhe The Telegraph, duke i akuzuar mediat se interesohen për të vetëm për të prodhuar histori që tërheqin audiencë.
Një pjesë e rëndësishme e mesazheve të publikuara lidhet me televizionin GB News, ku Puka pretendon se ka marrë disa ftesa për të rrëfyer historinë e tij.
Ai shfaqet i pakënaqur me mënyrën se si trajtohet në programet televizive dhe u kërkon personave që e kontaktojnë të mos e shqetësojnë më me telefonata dhe oferta për intervista.
Në reagimet e tij, Puka i cilëson këto media si të rreme, duke pretenduar se ekziston një kontradiktë mes qëndrimit të tyre publik ndaj tij dhe interesit që tregojnë privatisht për ta pasur në studio.
Sipas versionit të tij, disa prej producentëve kanë shkuar deri aty sa t’i propozojnë pagesë për të marrë pjesë në programet televizive. Megjithatë, këto oferta mbeten pretendime të Pukës dhe nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Mesazhet më pikante janë ato që lidhen me Nigel Farage, drejtuesin e Reform UK dhe prezantues në GB News, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj emigracionit.
Puka pretendon se është kontaktuar për të marrë pjesë në emisionin e Farage, por përgjigjja e tij nuk ka qenë ajo që producentët mund të kenë pritur.
Në një prej komunikimeve, shqiptari i kërkon Farage të ndalojë bashkëpunëtorët e tij që ta telefonojnë për ftesa televizive, duke bërë të qartë se nuk ka ndërmend të shkojë në programin e tij.
Por më shumë vëmendje ka tërhequr një tjetër përgjigje e tij, e formuluar në mënyrë ironike dhe provokuese, Puka thotë se do të pranonte të shkonte në emision vetëm nëse Nigel Farage do t’i rregullonte dokumentet e qëndrimit në Britani.
Një kundërkusht që prek drejtpërdrejt temën për të cilën Farage ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të profilit të tij politik: kontrollin e emigracionit dhe dëbimin e personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Në këtë mënyrë, Puka e kthen ftesën televizive në një sfidë publike ndaj politikanit britanik, duke përdorur pikërisht çështjen e dokumenteve të qëndrimit si kusht për t’u paraqitur përballë kamerave.
Interesi për Dorian Pukën lidhet me historinë e tij kriminale dhe betejën e gjatë me autoritetet britanike të emigracionit.
Ai u dënua në vitin 2016 me nëntë muaj burg për tentativë hyrjeje me forcë në një banesë dhe më pas u deportua. Pas rikthimit në Britani, u përfshi sërish në vjedhje banesash në Londër, për të cilat mori një dënim prej tre vjetësh e gjashtë muajsh burg. Në mars të vitit 2020 ai u deportua përsëri.
Rikthimet e tij të mëvonshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe procedurat ligjore për azilin e kanë mbajtur emrin e tij në qendër të raportimeve britanike.
Pikërisht kjo histori e ka bërë Pukën një personazh të përdorur shpesh në debatet televizive për emigracionin, ku politikanë dhe komentatorë diskutojnë rastet e personave me precedentë penalë që vazhdojnë të qëndrojnë në vend.
Deri tani, asnjë reagim nga Farage dhe GB News
Publikimi i mesazheve ka hapur një tjetër diskutim mbi marrëdhënien mes Pukës dhe mediave që kanë raportuar për të.
Nga njëra anë, ai pretendon se është përdorur si shembull në kronikat dhe debatet kundër emigracionit; nga ana tjetër, thotë se të njëjtat media kanë këmbëngulur për ta pasur në emisionet e tyre, duke i ofruar edhe pagesë.
Deri në publikimin e këtyre pretendimeve, nuk ka një reagim publik të konfirmuar nga Nigel Farage, GB News apo mediat e tjera të përmendura për përmbajtjen e mesazheve dhe ofertat financiare.
Mbetet për t’u parë nëse palët do të reagojnë ndaj akuzave të shqiptarit, i cili këtë herë ka zgjedhur të mos flasë përmes një interviste televizive, por të publikojë vetë komunikimet që pretendon se ka marrë. /ad
