Last Updated on 10/11/2026 by EL
Nikoll Radaçi, 57-vjeçari që akuzohet për aksidentin tragjik të 3 majit në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe mbeti i plagosur një tjetër, është dërguar për gjykim. Ai akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy të miturve.
Seanca paraprake pritet të zhvillohet këtë të martë në Gjykatë dhe do të mbahet me dyer të mbyllura. Ndërkohë, për Radaçin është kërkuar pushimi i akuzës për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, për shkak të zbatimit të ligjit nr. 57/2026 “Për amnistinë”.
Aksidenti tragjik ndodhi më 3 maj në Durrës, ku automjeti i drejtuar nga 57-vjeçari përplasi dy fëmijët, të cilët ndodheshin në trotuar. Si pasojë, të dy të miturit humbën jetën, ndërsa një fëmijë tjetër mbeti i plagosur. Në seancën paraprake, Gjykata do të shqyrtojë kërkesat e organit të akuzës dhe do të vendosë për vijimin e procesit gjyqësor./et
