Një foshnjë vetëm 11 muajshe u gjet e gjallë, pavarësisht se kishte qëndruar e varrosur për 24 orë brenda një kafazi qeni, në një pyll në Karolinën e Jugut, në SHBA.
Në lidhje me ngjarjen është arrestuar babai i fëmijës, ndërsa foshnja është transportuar në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
I vogli Koa u gjet brenda një kafazi qeni, i mbështjellë me një peshqir dhe i varrosur në një thellësi të vogël në një zonë pyjore, sipas njoftimit të zyrës së sherifit të qarkut Lexington.
“Zoti është vërtet i mirë. Vetëm pak minuta më parë gjetëm të voglin Koa, 11 muajsh, të varrosur të gjallë, ende duke luftuar për jetën dhe duke qarë. Ishte tingulli më i bukur që dikush mund të dëgjonte”, deklaroi sherifi Jay Koon gjatë një konference për shtyp.
Foshnja ishte zhdukur të hënën, pasi nëna e tij e kishte lënë nën kujdesin e babait në banesën e saj, ndërsa ajo ishte larguar për të kryer një angazhim.
Pasi u konstatua se fëmija mungonte, u raportua zhdukja e tij dhe autoritetet nisën kërkime të gjera për gjetjen e tij.
Koa u zbulua pasi një grup kërkimor vuri re se dheu në një pjesë të pyllit, rreth 50 metra larg banesës së babait të tij, dukej se ishte gërmuar dhe lëvizur së fundmi.
Sherifi njoftoi se babai i fëmijës, Michael Comer, ishte arrestuar mbrëmjen e së hënës për vjedhje me thyerje dhe rezistencë ndaj arrestimit.
Foshnja u dërgua në spital, ndërsa sherifi shprehu shpresën se do të arrijë të rikuperohet.
An 11-month-old boy who had been taken by his father was found buried alive in a dog crate following an urgent search, authorities in South Carolina said.
https://t.co/A45CZnlS8o— ABC News (@ABC) November 11, 2026
