Britney Spears po përgatitet të prezantojë një projekt të ri personal, të cilin e ëndërron prej më shumë se 20 vitesh. Sipas një burimi pranë këngëtares, ajo ka punuar në fshehtësi për këtë nismë gjatë vitit të fundit dhe zbulimi pritet të bëhet shumë shpejt.
Page Six bën të ditur se bëhet fjalë për një projekt që ka rëndësi të veçantë për këngëtaren dhe që fansat e saj e presin prej gati dy dekadash.
“Gjatë vitit të fundit ajo ka punuar për një projekt tepër sekret, i cili do vijë shumë shpejt”, ka treguar burimi, duke shtuar se bëhet fjalë për diçka shumë personale.
Edhe vizita e fundit e Spears në Nju Jork lidhej me këtë projekt. Këngëtarja kishte udhëtuar për takime pune dhe jo për argëtim.
“Ajo nuk ndodhej në Nju Jork për t’u argëtuar. Ishte atje për punë, pasi po punon intensivisht për të përgatitur njoftimin zyrtar”, ka theksuar burimi.
Sipas medias, projekti lidhet me një produkt në fushën e stilit të jetesës dhe nuk ka të bëjë me muzikën. Spears mund të udhëtojë sërish për takime të tjera, ndërsa përgatit njoftimin zyrtar.
Kjo nuk është hera e parë që këngëtarja merret me sipërmarrje jashtë muzikës. Në vitin 2004 ajo lançoi parfumin e saj të parë, “Curious”, ndërsa një vit më vonë publikoi “Fantasy”, i cili pati sukses të madh. Më pas koleksioni u zgjerua me dhjetëra aroma.
Në vitin 2014, ajo prezantoi koleksionin e saj të të brendshmeve dhe veshjeve të natës, ndërsa në vitin 2023 publikoi autobiografinë “The Woman in Me”. Libri shiti 1.1 milionë kopje në SHBA gjatë javës së parë dhe kaloi 2 milionë kopje deri në janar 2024./mxh
