Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Moska mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjeve të deritashme dhe atyre të ardhshme me Serbinë, teksa po zhvillohen bisedime për furnizimin me gaz dhe një kontratë të re afatgjatë.
Ai i bëri këto komente gjatë takimit me kryeqytetin rus me politikanin prorus dhe ish-zyrtarin e lartë shtetëror të Serbisë, Aleksandar Vullin, bëri të ditur Ministria e Jashtme ruse të mërkurën.
Lavrovi tha se e njeh Vullinin prej kohësh si “njërin prej politikanëve kryesorë të Serbisë”, i cili, sipas tij, i “kupton shumë mirë proceset politike dhe në to gjithmonë arrin ta identifikojë qëllimin kryesor: interesin e popullit serb”.
Lavrovi përmendi gjithashtu se Vullini është kryetar i Bordit Mbikëqyrës të kompanisë Srbijagas dhe se kjo detyrë “pasqyron synimin e përbashkët për bashkëpunim me përfitime të ndërsjella”.
“Janë duke u zhvilluar bisedimet për furnizimet e ardhshme me gaz dhe për një kontratë të re afatgjatë. E di se këtu ka qëndruar edhe drejtori i përgjithshëm i Srbijagasit, Dushan Bajatoviq”, tha Lavrovi.
Ai shtoi se Rusia mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj “të gjitha marrëveshjeve tona, si atyre të mëparshme, ashtu edhe atyre të ardhshme”.
Srbijagas është ndërmarrje publike e Serbisë që merret me importin, furnizimin, transportin dhe shpërndarjen e gazit natyror në vend. Ajo luan rol të rëndësishëm në marrëdhëniet energjetike të vendit me Rusinë, nga e cila Serbia siguron një pjesë të madhe të gazit natyror./mxh
