Autoritetet meksikane njoftuan të mërkurën arrestimin e 15 anëtarëve të dyshuar të kartelit Sinaloa, një nga bandat më të dhunshme të vendit.
Bashkëthemeluesit dhe udhëheqësit e këtij karteli ishin Joaquín “El Chapo” Guzman dhe Ismael “El Mayo” Zambada. Të dy janë aktualisht të burgosur në Shtetet e Bashkuara.
Ministri i Sigurisë Omar Garcia Harfus njoftoi nëpërmjet X arrestimin e një të dyshuari të njohur me pseudonimin Beto Leyva, falë informacionit të transmetuar nga SHBA-të. Thuhet se ai i përkiste grupit udhëheqës të kartelit në shtetin kufitar të Baja California.
“Ai koordinoi trafikimin e qenieve njerëzore nga Tijuana në San Diego dhe San Ysidro, Kaliforni dhe dyshohet se ishte i përfshirë në rrëmbime të emigrantëve, disa prej të cilëve u liruan në këmbim të pagesave të shpërblimit nga familjet e tyre në Shtetet e Bashkuara”, vuri në dukje z. Harfus.
Më herët, autoritetet njoftuan 14 arrestime në shtetin e Chiapas, i cili kufizohet me Guatemalën dhe është shkatërruar nga dhuna midis karteleve që luftojnë për kontrollin e rrugëve të trafikimit të drogës.
Të arrestuarit ishin të armatosur. Dy prej tyre u “identifikuan si udhëheqës lokalë” të bandës, vuri në dukje zyra e prokurorit të përgjithshëm nëpërmjet X. Ajo shtoi se “12 pushkë sulmi, 97 karikatorë, 882 fishekë dhe 17 jelekë antiplumb” u sekuestruan gjatë operacionit./ad
