Bisedimet mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së në Abu Dabi sollën një marrëveshje në parim për shkëmbimin e të burgosurve të luftës, por palët mbeten larg një marrëveshjeje për përfundimin e luftës.
Negociatat e para trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara që nga fillimi i këtij viti sollën përparim të kufizuar në aspektin humanitar, por pak rezultate konkrete drejt përfundimit të luftës.
Bisedimet dy-ditore, të mbajtura në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, përfunduan me një marrëveshje në parim për shkëmbimin e një numri të madh të burgosurish të luftës dhe hapën diskutimet për marrëveshje më të gjera të sigurisë evropiane.
Megjithatë, palët duket se nuk janë më afër paqes sesa ishin 48 orë më parë.
“Pengesa themelore për përfundimin e kësaj lufte është se asnjëra nga palët ndërluftuese aktualisht nuk sheh mundësi për një marrëveshje paqeje që do t’i garantonte interesat e saj jetike me një kosto më të ulët sesa vazhdimi i luftimeve”, thotë Slawomir Debski, profesor vizitues i strategjisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Kolegjin e Evropës në Natolin, me seli në Varshavë.
“Ky është ngërçi themelor. Moska dëshiron një paqe që do ta shndërronte agresionin e saj në një fitore më të gjerë strategjike. Ukrainës i duhet një paqe që ia ruan aftësinë për të mbijetuar. Evropa nuk mund ta pranojë kontrollin rus mbi sigurinë evropiane, ndërsa Amerika nuk ka asnjë arsye të qëndrueshme strategjike për ta lehtësuar një gjë të tillë”.
Zyrtarët amerikanë i përshkruan negociatat si të vështira, por produktive, duke pranuar njëkohësisht se mes Kievit dhe Moskës mungon besimi plotësisht.
Megjithatë, bisedimet shënuan një zhvillim të rëndësishëm: Uashingtoni po përpiqet t’i zgjerojë negociatat përtej së ardhmes së Ukrainës, duke përfshirë edhe marrëveshje më të gjera për sigurinë e Evropës. Kjo mund t’i përfshijë qeveritë evropiane në një proces nga i cili deri më tani kanë qenë kryesisht të përjashtuara.
Të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të udhëtojnë më 12 nëntor në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, përpara se të shkojnë në Dublin për bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili aktualisht po qëndron për vizitë në Irlandë.
Këto takime do të tregojnë nëse Uashingtoni mund ta shndërrojë aktivitetin diplomatik në përparim domethënës, apo nëse Moska po i shfrytëzon negociatat për të çuar përpara synime më të gjera strategjike, ndërkohë që vazhdon luftën.
Shkëmbimi i të burgosurve sjell përparim
Zyrtarë të lartë amerikanë i thanë Radios Evropa e Lirë më 11 nëntor se marrëveshja për shkëmbimin e një numri të madh të burgosurish të luftës përbënte një sukses.
Një negociator amerikan tha gjithashtu se kishte vërejtur “paksa fleksibilitet” nga të dyja palët gjatë bisedave private, megjithëse nuk dha hollësi.
Një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Uashingtoni synonte të ecte përpara gradualisht, duke shtuar se administrata do t’i trajtonte çështjet “hap pas hapi”.
Zyrtari paralajmëroi se marrëveshjet e sigurisë për periudhën pas luftës nuk mund të zbatohen pa u arritur fillimisht një marrëveshje për çështjet territoriale dhe mosmarrëveshjet e tjera mes dy vendeve.
Ky kusht nxjerr në pah pengesën kryesore: palët mund të jenë të gatshme të diskutojnë zgjidhje praktike, por vazhdojnë të kenë dallime të mëdha për marrëveshjen politike që nevojitet për t’i dhënë fund luftës.
Zelenskyy tha më 11 nëntor në Dublin se shkëmbimi i propozuar i të burgosurve mund të përfshijë nga 1.000 deri në 1.500 persona nga secila palë.
Megjithatë, ai theksoi se Kievi ka propozuar gjithmonë shkëmbimin e të gjithë të burgosurve, duke thënë se nuk e kupton pse “mijëra të tjerë” duhet të presin në robëri fundin e vuajtjeve të tyre.
Kryenegociatori ukrainas, Rustem Umerov, pranoi se, pavarësisht diskutimeve, dallimet e mëdha mbeten.
“Gjatë këtyre dy ditëve, palët patën mundësinë t’i paraqesin drejtpërdrejt qëndrimet e tyre dhe mes tyre vazhdojnë të ekzistojnë dallime të konsiderueshme”, tha ai.
Kyrylo Budanov, shefi i administratës presidenciale të Zelenskyyt, i përshkroi bisedimet si të vështira, por këmbënguli se qëndrimi i Ukrainës nuk ka ndryshuar. Kievi kërkon përfundimin e luftës dhe marrëveshje sigurie që do ta parandalonte një agresion të ri rus.
Moska dha pak sinjale se ishte e gatshme të lëshonte pe për çështjet më të diskutueshme. Kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, tha se shkëmbimi i territoreve si pjesë e një marrëveshjeje ishte jashtë diskutimit, sipas mediave shtetërore ruse.
Zelenskyy bëri të ditur gjithashtu se delegacioni rus e kishte refuzuar propozimin e Ukrainës për një armëpushim në sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, duke thënë se nuk kishte mandat për ta diskutuar këtë çështje.
Paul Saunders, president dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës për Interesin Kombëtar dhe ish-këshilltar i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, i tha Radios Evropa e Lirë se përparimi i arritur deri më tani ishte kryesisht simbolik.
“Nuk ka pasur përparim thelbësor”, tha Saunders, duke argumentuar se palët nuk janë afruar ndjeshëm drejt një marrëveshjeje të pranueshme për të gjithë.
Çfarë dëshiron Moska?
Saunders ofroi një shpjegim për gatishmërinë e Rusisë për të negociuar, duke argumentuar se Putini vazhdon të besojë se Moska mund ta fitojë luftën përmes rraskapitjes graduale të kundërshtarit.
Rusia është më e madhe dhe më e pasur se Ukraina, ndërsa Kremlini llogarit se Kievi po përballet me trysni gjithnjë e më të mëdha ushtarake dhe ekonomike, ndërkohë që qeveritë evropiane mund ta kenë gjithnjë e më të vështirë ta vazhdojnë mbështetjen e tyre, tha ai.
Në këtë kontekst, negociatat i shërbejnë Moskës për disa qëllime.
Ato i mundësojnë të tregojë gatishmëri për bisedime, ta mbajë administratën Trump të angazhuar në procesin e paqes dhe ta zvogëlojë rrezikun që presidenti amerikan, i zhgënjyer nga mungesa e përparimit, të ashpërsojë qasjen ndaj Rusisë.
Saunders tha se Moska ka interes edhe të hapë tema të reja kur negociatat për çështjet ekzistuese nuk japin rezultate.
Shkëmbimet e të burgosurve dhe marrëveshjet e tjera që kërkojnë lëshime relativisht të vogla ndihmojnë në ruajtjen e ritmit diplomatik, pa e detyruar Kremlinin të heqë dorë nga synimet themelore.
Prandaj, pyetja është se çfarë do të mund ta nxiste Putinin t’i jepte fund luftës, nëse ai beson se koha dhe zhvillimet në fushëbetejë, ashtu siç i paraqet Moska, janë në favor të Rusisë.
Ish-ambasadori amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), James Gilmore, ofroi një interpretim pak mëndryshe.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai sugjeroi se kundërsulmet ukrainase ndaj infrastrukturës ruse dhe trysnia ekonomike në rritje mund ta shtyjnë Kremlinin të kërkojë një fitore diplomatike, në vend që të rrezikojë vazhdimin e një fushate ushtarake gjithnjë e më të kushtueshme.
Gilmore argumentoi se Rusia mund të jetë duke u përpjekur të sigurojë përmes negociatave atë që nuk po arrin ta fitojë në fushëbetejë.
Por ai paralajmëroi se qëndrimet themelore të Moskës dhe Kievit mbeten të vështira për t’u pajtuar. Rusia kërkon një marrëveshje që do të përbënte fitore sipas kushteve të saj, ndërsa synimi kryesor i Ukrainës është mbijetesa dhe mbrojtja nga një agresion i ri.
Gilmore e mirëpriti shkëmbimin e të burgosurve dhe vazhdimin e negociatave, duke thënë se “çdo përparim hap rrugën për përparim të mëtejshëm”. Megjithatë, ai paralajmëroi se nuk duhen humbur nga vëmendja interesat e kundërta të palëve.
Edhe pse ekspertët kanë vlerësime të ndryshme për shkallën e trysnisë me të cilën po përballet Rusia, analizat e tyre çojnë në një përfundim të përbashkët: pjesëmarrja e Moskës në negociata nuk do të thotë se Putini është i gatshëm të heqë dorë nga synimet e tij.
Siguria e Evropës
Ndoshta zhvillimi më i rëndësishëm i bisedimeve në Abu Dabi ishte përqendrimi gjithnjë e më i madh i Uashingtonit te arkitektura më e gjerë e sigurisë evropiane.
Një zyrtar i lartë amerikan i tha Radios Evropa e Lirë se negociatorët amerikanë dëshirojnë të ulen me partnerët evropianë për t’i diskutuar marrëveshjet e sigurisë së kontinentit.
Sipas tij, administrata amerikane ka qenë duke hartuar propozime në koordinim të ngushtë me partnerët, me synim forcimin e sigurisë afatgjatë të Ukrainës, mbrojtjen e sovranitetit të saj dhe kontributin në stabilitetin evropian.
Uashingtoni shpreson gjithashtu ta bindë Moskën të pranojë një format shumëpalësh negociatash, që potencialisht do t’i hapte rrugën pjesëmarrjes formale të Evropës. Kushner la të kuptohej se do të kërkonte miratimin e Putinit gjatë vizitës në Moskë.
Çështja është e ndjeshme, pasi Britania, Franca, Gjermania, NATO-ja dhe Komisioni Evropian nuk janë përfshirë në negociatat kryesore trepalëshe, ndonëse përfaqësues evropianë kanë qenë të pranishëm në margjinat e tyre.
Për Kievin, shqetësimi nuk lidhet thjesht me protokollin diplomatik. Ukraina druhet se Uashingtoni dhe Moska mund të diskutojnë për të ardhmen e saj pa e përfshirë mjaftueshëm vetë Ukrainën, territori dhe sovraniteti i së cilës janë në diskutim.
Zelenskyy ka këmbëngulur se Evropa duhet të përfaqësohet në bisedime, duke argumentuar se vendimet për sigurinë evropiane nuk mund të merren pa qeveritë evropiane.
Zgjerimi i agjendës së negociatave ngre gjithashtu shqetësime për ambiciet strategjike të Moskës.
Rusia duket se po përpiqet ta përfshijë Uashingtonin në një diskutim shumë më të gjerë për rendin e sigurisë evropiane, gjë që potencialisht mund ta dobësojë aleancën transatlantike dhe ta zvogëlojë ndikimin e Evropës.
Sipas këtij interpretimi, negociatat nuk kanë të bëjnë më vetëm me Ukrainën, por edhe me marrëdhëniet strategjike mes Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe Rusisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se kontaktet e tij me zyrtarët e NATO-s të përfshirë në bisedimet e Abu Dabit tregonin se Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Evropa ishin “plotësisht të harmonizuara dhe të bashkuara”. Megjithatë, ai theksoi se Rusia duhet të dëshmojë se është vërtet e gatshme të angazhohet në negociata.
Ndikimi i Uashingtonit në provë
Takimet e mundshme me Putinin dhe Zelenskyyn do të tregojnë nëse diplomacia mund të shkojë përtej diskutimeve paraprake dhe të prodhojë propozime konkrete.
Një problem thelbësor mbetet: nëse marrëveshjet e sigurisë për periudhën pas luftës nuk mund të zbatohen derisa të zgjidhen mosmarrëveshjet territoriale, çfarë garancish mund të marrë Ukraina përpara se të vendosë për territoret e pushtuara?
Për Kievin, çdo marrëveshje që e lë vendin të pambrojtur ndaj një sulmi tjetër rus rrezikon ta shndërrojë armëpushimin në asgjë më shumë sesa një ndërprerje të përkohshme të konfliktit.
Zelenskyy tha në Dublin se Ukrainës i duhen “përgjigje shumë konkrete” për garancitë e sigurisë, duke shtuar se shumëçka do të varet nga Rusia, por edhe më shumë nga Shtetet e Bashkuara, pasi, sipas tij, Ukraina “nuk po kërkon garanci sigurie nga Rusia, por nga Shtetet e Bashkuara”./ad
