NASA ka nisur përzgjedhjen e grupit të ri të astronautëve, duke hapur një proces aplikimi për qytetarët amerikanë që duan të bëhen pjesë e misioneve të ardhshme hapësinore. Kandidatët kanë afat deri më 3 dhjetor, para mesnatës sipas orës lindore amerikane, për të dorëzuar aplikimet.
Vendet e punës janë të kufizuara dhe astronautët e rinj do të paguhen me një pagë vjetore prej 164,395 dollarësh. Të përzgjedhurit do të duhet të zhvendosen në Houston, Teksas, ku do të trajnohen dhe do të punojnë në Qendrën Hapësinore Johnson të NASA-s.
Kjo thirrje vjen në një moment kyç për programin hapësinor amerikan, pasi NASA po përgatitet për një epokë të re eksplorimi me synimin për të rikthyer njerëzit në sipërfaqen e Hënës dhe për të krijuar infrastrukturë të qëndrueshme atje, si një hap drejt misioneve të ardhshme në Mars.
Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, deklaroi se astronautët e rinj mund të jenë ndër njerëzit që do të ecin në Hënë, do të jetojnë në baza hënore dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e teknologjive që do të përdoren për udhëtimet drejt planetit të kuq.
“Personat që do të përzgjedhim mund të ecin në Hënë, të jetojnë dhe punojnë në bazën hënore, si dhe të ndihmojnë në zhvillimin e sistemeve që do të dërgojnë ekuipazhet drejt Marsit”, tha Isaacman, duke theksuar se misionet e ardhshme do të kërkojnë aftësi të larta teknike, disiplinë, bashkëpunim dhe vendimmarrje nën presion.
Përzgjedhja e re e astronautëve zhvillohet pas përparimeve të fundit të programit Artemis. Në prill, misioni Artemis II dërgoi katër astronautë në një udhëtim rreth Hënës, duke vendosur një rekord të ri për distancën më të madhe të përshkuar nga njerëzit larg Tokës.
Kush mund të aplikojë?
NASA ka vendosur kritere të rrepta për kandidatët. Ata duhet të jenë shtetas amerikanë dhe të kenë përfunduar një nga programet e kërkuara arsimore.
Kandidatët duhet të kenë një diplomë masteri në fusha si inxhinieri, shkenca biologjike, shkenca fizike, shkenca kompjuterike ose matematikë. Alternativisht, pranohen edhe persona që kanë përfunduar të paktën dy vite studime doktorature në këto fusha, profesionistë të mjekësisë me kualifikimet përkatëse ose pilotë që kanë përfunduar trajnimin për pilotë testues.
Përveç arsimit, NASA kërkon eksperiencë të konsiderueshme profesionale. Kandidatët duhet të kenë të paktën tre vite përvojë pune pas përfundimit të studimeve ose trajnimit të specializuar.
Pilotët duhet të plotësojnë kërkesa të veçanta për orët e fluturimit, ndërsa profesionistët nga fusha si mjekësia, shkencat, inxhinieria dhe operacionet duhet të dëshmojnë përvojë të lidhur me profesionin e tyre.
Për kandidatët që vijnë nga fusha e operacioneve, NASA kërkon eksperiencë në ambiente me rrezik të lartë, ku nevojiten reagim i shpejtë, koordinim i fortë në grup dhe marrje vendimesh në situata kritike.
Teste fizike dhe psikologjike
Procesi i përzgjedhjes nuk kufizohet vetëm te arsimi dhe përvoja profesionale. Kandidatët duhet të kalojnë kontrolle të plota mjekësore dhe psikologjike, përfshirë teste për shikimin, gjendjen fizike dhe historikun shëndetësor.
NASA kërkon që shikimi të jetë i korrigjueshëm në nivelin 20/20 në secilin sy, ndërsa kandidatët i nënshtrohen gjithashtu kontrolleve të sigurisë dhe testeve për përdorimin e substancave të ndaluara.
Astronautët e ardhshëm duhet të jenë fizikisht të përgatitur për punë të vështira, përfshirë ngritje peshash, lëvizje në kushte të kufizuara dhe përballje me ambiente ekstreme.
Ata duhet të jenë të gatshëm të jetojnë për periudha të gjata larg Tokës, në ambiente të izoluara dhe me hapësirë të kufizuar, duke përballuar izolimin, mungesën e kontaktit të drejtpërdrejtë me familjen dhe rrezikun që shoqëron misionet hapësinore.
Pjesë e përzgjedhjes është edhe një test noti, ndërsa kandidatët duhet të pranojnë mundësinë e misioneve që zgjasin 12 muaj ose më shumë.
Astronautët e rinj të NASA-s pritet të jenë pjesë e një prej fazave më ambicioze të eksplorimit hapësinor amerikan, ku objektivi final është zgjerimi i pranisë njerëzore përtej Tokës./ad
