Last Updated on 12/11/2026 by EL
Disa persona janë plagosur me armë zjarri mëngjesin e së enjtes në lagjen “Logan Circle” të Uashingtonit, ndërsa policia po kërkon autorin e dyshuar, raporton CBS News.
Sipas anëtares së Këshillit të Qytetit, Brooke Pinto, të shtënat janë regjistruar brenda dhe jashtë një palestre Vida Fitness. Në të njëjtin bllok ndodhen edhe një kishë dhe disa banesa, ndërsa një supermarket Whole Foods është shumë pranë zonës.
Associated Press, duke cituar një efektiv të Policisë Metropolitane të Uashingtonit, raportoi se katër persona janë plagosur nga të shtënat.
Policia bëri të ditur rreth orës 08:23 të mëngjesit se efektivët po ndërhynin në kryqëzimin e rrugëve “15th” dhe “P Street”, në zonën Logan Circle. Deri tani autoritetet nuk kanë konfirmuar vendndodhjen e saktë ku ka ndodhur sulmi.
Në zonë është parë një prani e madhe e forcave të policisë, ndërsa autoritetet u kanë kërkuar banorëve të shmangin lëvizjen pranë vendngjarjes.
Zona ku ndodhën të shtënat ndodhet rreth një milje, afro 1.6 kilometra, në veri të Shtëpisë së Bardhë.
Në operacion janë përfshirë edhe agjentë të Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve, ATF, e cila konfirmoi se zyra e saj në Uashington ndodhet në vendngjarje dhe po ndihmon autoritetet lokale.
Policia vijon kërkimet për autorin e dyshuar, ndërsa motivet dhe rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta./ET
